Foto: Ilustrim

Grafitet Kërcënuese në Prishtinë, Arrestohet një i Dyshuar

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një të dyshuar në lidhje me grafitet e shkruara në Fakultetin Filologjik në Prishtinë më 1 gusht, përmes të cilëve kanoseshin persona zyrtarë, dhe për grafitet me përmbajtje kërcënuese të 4 gushtit në gurin e themelit të Xhamisë së Madhe në kryeqytet.

Në njoftimin e saj, Policia thekson se ndërlidhur me këtë rast më 16 gusht në Bashkësinë Islame të Kosovës janë bërë thirrje telefonike nga persona anonimë me përmbajtje kërcënuese që ndërlidhen me ndërtimin e Xhamisë.

Pas një pune serioze hetimore, hetuesit rajonalë kanë identifikuar personin e dyshuar, Xh. Hasani, nga Buzoviku i Ferizajt, shtëpia e të cilit është bastisur sot.

Gjatë bastisjes Policia ka gjetur dhe sekuestruar: Një armë automatike AK 47, 30 copë fishekë dhe një karikator, dy pistoleta, 13 copë fishekë dhe dy karikatorë, 27 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 18 copë fishekë të kalibrit 7.65 mm.