Foto: Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës

Grafite antishqiptare në Vojvodinë, reagon një parti politike

Një grafit antishqiptar është parë sot në mëngjes në qytetin e Zrenjaninit në Vojvodinë.

Grafiti i shkruar në gjuhën serbe “Vrisni shqiptarët” ka nxitur reagimin e degës së një partie politike të Vojvodinës, Lidhjes Socialdemokrate.

“Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës dënon ashpër grafitet nxitëse të urrejtjes, që gjatë vikendit u shfaqën në shtëpi private në Lagjen Shumica të Zrenjaninit, përballë furrës, drejtuar komunitetit etnik shqiptar”, thuhet në reagim.

“Kështu vazhdohet me diskursin e urrejtjes i cili së voni fatkeqësisht është shpeshtuar në qytetin tonë. Vitin e kaluar në disa raste janë mbishkruar tabelat me emërtime të vendeve në gjuhën kombëtare të pakicave. Kemi paralajmëruar për efektet e dëmshme të akteve të tilla, si dhe për mungesën e preventivës së tyre. Qeverisja e paaftë dhe arrogante lokale nuk ka reaguar dhe si rezultat dikush po kupton që është e lejueshme që të lihen mbishkrime që thirrin në vrasje”, thuhet në reagimin e socialdemokratëve të Vojvodinës.

“A janë qytetarët që jetojnë këtu, punojnë dhe paguajnë taksa, apo përkatësit e disa pakicave kombëtare, më pak të vlefshëm se përkatësit e shumicës së popullsisë? Ky nuk është Zrenjanini dhe nuk guxojmë të lejojmë që qyteti ynë të bëhet i tillë! Urrejtja dhe thirrja për dhunë nuk duhen toleruar!”, tha kjo parti.

Foto: Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës