Adem Grabovci në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Grabovci Thotë se nuk i Tregoi Limajt për SMS-të

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në procesin kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve, ish-zëvendësministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Adem Grabovci mohoi se i raportoi ministrit të atëhershëm për disa SMS që mori e që lidheshin me asfaltimin e rrugëve në këmbim me anëtarësimin në PDK.

Në seancën e sotme pyetjen se a i raportoi Limajt për këta SMS, Grabovcit ia shtroi prokurori Charles Hardaway.

Grabovci deklaroi në gjykatë se kjo pyetje po i dukej qesharake, ndërsa mohoi se për SMS-të i raportoi Limajt.

“SMS-të që i kam pranu as qe i kam lexu dhe s’kam kthy përgjigje dhe si ka mundësi t’ia kem raportuar ministrit nëse s’i kam lexuar”, tha Grabovci.

Grabovci më tutje tha se nuk mban përgjegjësi për mesazhet që mund t’i shkruante kushdoqoftë.

“Telefoni im ka qenë telefon publik dhe s’mbaj përgjigjësi për kush çka ka shkrujt në telefonin tim. Në telefonin tim kam pranu edhe SMS kërcënues me jetë dhe prokurorit nuk i paskan rënë në sy ata”, tha Grabovci.

Prokurori Hardaway më tutje e pyeti Grabovcin se si vendos cilat mesazhe telefonike t’i lexojë e cilat jo.

Grabovci kësaj pyetjeje iu përgjigj me fjalët se në momentin kur i bëhen një grumbull mesazhet, i fshin ato.

Gjyqtarja Maria Tuma e pyeti Grabovcin se a i fshin edhe mesazhet zyrtare.

“Po, pa përjashtim”, u përgjigj Grabovci.

Gjatë seancës së djeshme, prokurori Hardaway ia lexoi Grabovcit disa mesazhe që atij i kishin ardhur në kohën kur ishte zëvendësministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

“Një katun po e kthej në PDK për 600 metra asfalt. Mendo e përgjigju. Rexha”, lexoi dje prokurori njërin prej SMS-ve që i ishin drejtuar Grabovcit në vitin 2008.

Por Grabovci tha se nuk e ka shfrytëzuar postin e tij për përfitime për PDK-në.

http://kallxo.com/grabovci-rrefen-per-kembimin-e-asfaltit-anetaresim-ne-pdk/

Në procesin ku po dëshmon Grabovci, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Për akuza të njëjta me të, nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për gjykimin e Limajt ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.