POLICIA - TRAFIK - KALLXO

Grabitjet e shpeshta, Policia ndalon automjetet me xhama të errësuar - VIDEO

Bazuar në rritjen e numrit të grabitjeve në vendin tonë, Policia e Kosovës përmes një plani operativ ka filluar të bëjë kontrolle të shtuara të automjeteve.

Njësiti i Autostradave të Kosovës, përveç kontrolleve të përditshme të automjeteve, që nga e hëna ka filluar të zbatoj planin operativ, i cili ka në fokus kontrollimin e veturave me xhama të errësuar.

Në bazë të ligjit për rregullat e trafikut rrugor, shoferit të automjetit i ndalohet të vendosë folie ose ndonjë material tjetër me qëllim të errësimit të xhamave.

Veturat të cilat ndalohen nga policia, u shqiptohen gjoba deri në 60 euro, për shkak të errësimit të xhamave në veturë.

Sipas policisë, ky plan operativ ka filluar të zbatohet në fillim të kësaj jave, por nuk është paraparë se kur do të përfundoj.

Njësiti i Autostradave, javën e kaluar ka implementuar planin operativ “Kontrolli i automjeteve të transportit publik”, ku në fokus kanë qenë kontrollimi i autobusëve, kombi-busëve si dhe automjetet e taksive.

Gjatë kësaj jave, janë realizuar 35 pika kontrolli, janë kontrolluar rreth 245 automjete, ndërsa janë shqiptuar 169 gjoba si dhe janë konfiskuar tri palë targa për kundërvajtje.