Grabitje në një bankë në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të grabitjes së një banke gjatë ditës së sotme në Prishtinë.

Sipas Policisë, grabitja ka ndodhur rreth orës 13:30 në filialin e një banke në lagjen Veternik të Prishtinës.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia tha se mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë,  dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve.

Sipas Policisë, personat e dyshuar kanë sulmuar fizikisht një person dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Peroni i lënduar (sigurim i bankës), është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar  personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre”, thuhet në komunikatë.

“Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla”, tha Policia.