Gjykimi i të akuzuarve për grabitje – Foto: KALLXO.com

Grabitja, të akuzuarit ankohen se u rrahën nga Policia

Me pretendimet se janë rrahur në Polici, Ali Brestovci e Egzon Aliu nuk kanë pranuar fajësinë për akuzën e prokurorisë për grabitjen e marsit 2010.

Brestovci e Aliu së bashku me Behar Nuredinin akuzohen se grabitën 230 euro në pompën Kalabria Petroll.

Dëshmitari i parë, viktima e ngjarjes, ka rrëfyer sot në gjykatë se nuk i ka njohur të dyshuarit. “Iu kam dhënë paret dhe kanë ikur më pastaj në drejtim Livoqit e Pasjakut, tha dëshmitari E.K.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kishin pranuar veprën gjatë intervistimit në polici por gjatë dëshmisë së tij në gjykatë Ali Brestrovci tha se pranimin e ka bërë pasi ndaj tij është ushtruar dhunë.

“Unë kam dhënë deklaratë në Polici, nuk mbetëm pranë asaj deklarate, sepse Policia ka ushtruar dhunë dhe me dhunë ma ka nxjerr deklaratën. Në Polici nuk kam pas avokat. Unë kam kërku me më dërgu te mjeku dhe polici me emrin Ilaz Shkodra tha qetash të çoj te doktori. I njëjti më ka fut në një qeli dhe më ka thënë, që ky është doktori yt. Gjatë intervistimit në polici kanë qenë në fillim 12 hetues e më pastaj 8 a 9”, tha ai.

Sikurse edhe Ali Brestrovci edhe i akuzuari tjetër Egzon Aliu deklaroi se nuk e pranon fajësinë.

Ai më tutje gjatë dëshmisë së tij deklaron se: “unë kërkund nuk kam qenë bashkë me Aliun dhe Beharin. Në Polici është e vërtetë se kam deklaruar çka kanë thanë Policia, kam thënë PO sepse kanë ushtruar dhunë ndaj meje”.

Egzon Aliu gjatë dëshmisë së tij tregoi para trupit gjykues se si të njëjtën deklaratë e ka dhënë edhe në Prokurori.

“Edhe në Prokurori kam dhënë deklaratë, sepse edhe aty më kan çu me polici. Nuk më kujtohet se a kam pasë avokat në Polici e Prokurori, me duket pasi e kam dhanë deklaratën në Prokurori ka ardhë një avokat. Njëri nga policët më ka thanë: qat deklaratë që e ke dhenë në polici duhesh me dhënë edhe këtu, se ta bajna ma zi se çka ta kena ba. I kam pasur 2 javë ditë brinjtë e lëndume dhe nuk më kanë çu në spital”, tha më tutje Egzoni.

Në pyetjen e prokurorit të rastit se a të kujtohet kush kanë qenë polic, a kanë qenë me uniformë dhe të kujtohet se si dukej ai, i akuzuari u përgjigj: “Kur më kanë marrë në pyetje në Polici kanë qenë 7 apo 8 veta dhe janë ndërruar non-stop dhe asnjëri nuk ka dalë pa më dhanë grushte e shkelma, në polici ata kanë qenë pa uniforma”.

Egzoni në përgjigjet e tij tregon se si edhe gjatë kohës sa ishte në burg, kishte kërkuar mbrojtje mjekësore por sipas tij, “një doktoreshë e burgut ka ardhë tek dera dhe mi ka dhanë do hapa për qetësim dhe më ka thënë se me qeto të kalon. Unë i kam thënë asaj se frymë nuk po mundem me marrë se po më therin brinjtë, ajo më tha merri qëto sufata se të kalon”, përfundoi deklaratën e tij i pandehuri Egzon Aliu.

Shqyrtimi më pas vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve, ku prokurori i shtetit Agron Uka, arsyetoi përshkrimin e dispozitivit të aktakuzës kurse mbrojtësit e të akuzuarve Faruk Brestrovci dhe Nasuf Nasufi i kërkuan ndër të tjera gjykatës që të lirohen të mbrojturit e tyre nga përgjegjësia penale, sepse, sipas tyre nuk është vërtetuar nga Prokuroria se kanë kryer këtë vepër penale.

Meqë nuk pati propozime të tjera, seanca përfundoi dhe kryetari i trupit gjykues, njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 tetor.