Aeroporti i Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Grabitja në Rinas, MPB: Paratë në Aeroportin e Prishtinës janë të sigurta

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës në një deklaratë për KALLXO.com ka siguruar qytetarët se Aeroporti i Prishtinë është i sigurt dhe nuk ka vrima të sigurisë.

Deklarata e tyre vjen pas grabitjes së fundit në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, ku u grabitën rreth 2 milionë euro.

Masat sipas MPB janë marrë që nga viti 2017 kur në Aeroportin e Rinasit kishte ndodhë një rast tjetër i grabitjes.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur nivelin e sigurimit për procesin e transportimit të mjeteve monetare/ mallrave me vlerë që nga viti 2017”, thuhet në përgjigjen e MPB.

Siguria në ANP ishte vënë në pikëpyetje nga testet e MPB-së të cilat ishin kryer gjatë kësaj kohe.

Vrimat thuhet se janë mbyllur.

“MPB gjegjësisht DSP/DSAC është përgjegjëse për mbikëqyrjen, vendosjen dhe ruajtjen e sigurimit të aviacionit civil ndaj ndërhyrjeve të paligjshme, që nënkupton inicimin e politikave për mbrojtjen e aviacionit civil në Republikën e Kosovës dhe në këtë moment siguria në aeroport është brenda standardeve të kërkuara”, thuhet në përgjigjen e MPB-së drejtuar KALLXO.com.

Gjithashtu MPB ka thënë se ka mandat që përmes mbikëqyrjes së sigurimit të aviacionit civil bazuar në konventa dhe standarde ndërkombëtare si ate e ICAO dhe rregullore të BE-se në fushën e sigurimit të aviacionit civil AVSEC,  t’i përmbush kërkesat dhe standardet për të siguruar mbrojtjen dhe parandalimin ndaj ndërhyrjeve të paligjshme.

“Këto përgjegjësi mbikëqyren dhe monitorohen përmes: auditimeve, inspektimeve, testimeve dhe intervistave , të cilat bëhen nga inspektorët e DSP/DSAC  dhe masat e ndërmarra konsistojnë me përmirësimin e vazhdueshëm të sigurimit në Aeroport”, thuhet tutje në përgjigjen e MPB-së për KALLXO.com.

Zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara, e pyetur për këtë temë ka sqaruar se çështja e sigurisë në ANP është kompetencë e MPB-së.