Policia shqiptare - Foto: Facebook

Grabitja në familjen Mira shton pasigurinë në Bulqizë

Ahmet Mira me të shoqen po ktheheheshin në shtëpi si pas çdo ditë pune, por para portës së oborrit, tre persona veshur me të zeza dhe me maska në kokë i sulmuan. Çifti u përpoq të rezistojë. “Më goditën mua të pari, u mundova të rezistoja, por sa mund të rezistosh kur janë tre veta”, tregoi Mira për BIRN.

Zhurma bëri që fëmijët e çiftit të dilnin jashtë. Bashkëshortja e tij tentoi të shkëputej dhe të fuste fëmijët në shtëpi për t’i mbrojtur, por një nga grabitësit e qëlloi pas shpine duke e lënë pa frymë. Pas kësaj çifti është dorëzuar.

Policia konfirmoi në një njoftim për shtyp denoncimin e bërë të premten në mbrëmje. Ajo njoftoi shoqërimin e tetë personave dhe shpalljen e një të nënti në kërkim, por BIRN mësoi se deri të dielën asnjë nuk ishte arrestuar, ndërsa viktimat nuk i kanë identifikuar dot sulmuesit.

Ndërkohë në fillim të shtatorit në Bulqizë u rrëmbye edhe një 15 vjeçare. Autorët përdorën të njëjtën formë duke kërcënuar me armë familjarët. Policia njoftoi arrestimin e katër personave dhe një tjetër u shpall në kërkim. Vajza u kthye në shtëpi pas disa ditësh.

Megjithatë pas kësaj në qytet pati prezencë të shtuar policie, përfshi edhe patrullim nga forcat e RENEA-s që qëndruan aty deri disa ditë më parë. BIRN mësoi se prania e specialeve lidhej me raportime të problemeve të ngjashme dhe mungesës së sigurisë në zonë, por situata nuk duket se ka ndryshuar.

Biznesmeni Mira, pronar i disa pikave të tregtisë me pakicë dhe një restoranti i tha BIRN se ai dhe familja e tij ndiheshin të pasigurtë. Ai thotë se ka qenë shpesh viktimë e grabitjeve, por ata kanë sulmuar dyqanet. E ëma 80-vjeç thotë se ngjarja e fundit nuk i kishte ndodhur as në vitin 1997. “Jam 80 vjeç plakë, nuk mbaj mend edhe në 97-n të na ketë ndodhur ajo që na ngjau mbrëmë”, thotë Rabie Mira.

Pas përleshjes në oborr grabitësit kanë hyrë në shtëpi dhe kanë lidhur të gjithë anëtarët e familej përveç djalit të vogël. “I morën edhe fëmijët dhe i sollën tek dhoma, bashkë me nënën time afro 80 vjeç. Kallashin në ballë. Një person qëndroi me ne ndërsa dy të tjerë filluan bastisjen e shtëpisë”, thotë 50-vjeçari.

Nga tronditja djali i vogël i familjes ka humbur ndjejat dhe një nga grabitësit i ka hedhur ujë për ta sjellë në vete. “Vetëm kur e kam parë veten të lidhur dhe sa tentoja me thënë në fjalë më thonin: “Pusho”, tytën e kallashit tek goja. Kalamajt sa me frymë sa pa frymë, thash se na ngelën në vend”, tregon Rabie Mira 80-vjeç.

Familja mohon të ketë konflikte. Grabitësit sipas tyre kanë kthyer përmbys gjithçka në shtëpi, kanë marrë çfarë kanë menduar të vlefshme dhe janë larguar duke përdorur makinën e çiftit, i cili thotë se nuk mbante para në shtëpi. Policia gjeti mjetin të braktisur disa kilometra më larg në Fushë – Bulqizë, në vendin e quajtur Ura e Laçit, por edhe pas disa shoqërimeve nuk duket se ka rënë në gjurmë të autorëve. (reporter.al)