Policia e Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com

Grabiten para në veri, Policia i gjen në jug

Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në veriun e Kosovës, afër Leposaviqit.

Kompania e sigurimit fizik “Henderson”, e cila qarkullon paratë, është grabitur nga disa persona dhe ende nuk dihet saktësisht shuma që grabitësit e kanë marr nga mjeti i tyre.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Besim Hoti, Zëvendës Drejtor i Policisë në rajonin e veriut.

Ai ka konfirmuar edhe se policia ka arritur ta ndalojë veturën dhe t’i gjejë përsëri paratë e grabitura.

‘’Është Grabitur kompania “Henderson”, kompani kjo që bën transportin e parave, mirëpo Policia e Kosovës gjatë një pune të shkëlqyer dhe bashkëpunimi policor Jug dhe Veri ka arritur ta ndalojë një veturën “Shkoda Oktavia” ku janë gjetur paratë dhe mjete tjera si prova materiale”, tha Hoti i cili ka shtuar se ende nuk dihet vlera e saktë e parave.

“Ende nuk dihet vlera e saktë e parave që janë vjedhur apo që janë gjetur nga policia sepse janë në thasë ende, në veturë janë gjetur edhe një revole dhe një pushkë automatike, gjithashtu policia ka arritur ta identifikoi pronarin e veturës”, tha Hoti për Kallxo.com.