Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq (djathtas), dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Foto: Kallxo.com

Goran Rakiq jep dorëheqje

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha sot se ka dfhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Vendimin për dorëheqje Rakiq e arsyetoi me atë që e quajti “politika diskriminuese të qeverisë së Kosovës ndaj serbëve të Kosovës”.

Lajmin për dorëheqje ai e kumtoi në një seancë të jashtëzakonshme të asamblesë së komunës së Mitrovicës së Veriut.

Drejtori për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë në beograd se dorëheqjen e kanë paralajmëruar edhe përfaqësues tjerë të komunave të veriut të Kosovës.

Goran Rakiq duke nënshkruar tekstin e dorëheqjes. Foto: Kallxo.com

Këshilltarët e asamblesë komunale të Mitrovicës se Veriut janë mbledhur në ndërtesën e komunës për të mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të asamblesë, pak orë para se të dalin në protestë kundër taksës doganore të vendosur javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Protesta do të mbahet në ditën e shtatë të vendosjes së kësaj takse e cila erdhi si reagim ndaj fushatës së Serbisë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare por që ngjalli reagime të ashpra nga Serbia dhe serbët në Kosovë dhe u kundërshtua nga bashkimi Europian dhe SHBA-të.

RTS raporton se në protestë do të marrin pjesë edhe studentë të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Para protestës, asambletë e komunave të veriut të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku) do të mbajnë mbledhje.