GLPS: Partitë politike kanë kapur shtetin dhe Prokuroria e Gjyqësori mbeten degë të klaneve politike

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka reaguar ndaj punësimeve të familjarëve dhe të afërmve të politikanëve nëpër ndërmarrjet publike, që janë raportuar ditëve të funit në media.

Sipas GLPS-së, këto veprime në të njëjtën kohë janë evidencë e dukshme që partitë politike në pushtet kanë kapur shtetin, dhe që Prokuroria dhe Gjyqësori mbeten vetëm degë të  klaneve politike të partive politike në pushtet.

“Veprimet e tilla të favorizimit, pa asnjë kriter, të familjarëve të ngushtë të rrethit partiak humbin kuptimin e shtetit të së drejtës, meritokracisë dhe profesionalizmit. Në të njëjtën kohë, sidomos në raport me shumë ndërmarrje publike,  ngulfatja me anëtarë partiak dhe familjar të bartësve të institucioneve u ka humbur prespektivën zhvillimore kompanive në fjalë dhe po vazhdon që të pamundësoj operimin e tyre”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

Tutje në reagimin e tyre, GLPS i ka bërë thirrje liderëve të institucioneve që të fillojnë t’i shërbejnë ligjit dhe të shohin përtej familjeve dhe klaneve të tyre.

“GLPS shpreh  shqetësimin e thellë me vargun e pafund të punësimeve në institucione publike të familjarëve të drejtpërdrejtë të Presidentit, të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës (Kryeministrit, zv. Kryeministrave dhe Ministrave) dhe partive në pushtet. Kjo praktikë mbetet tregues i qartë që bartësit e institucioneve të Kosovës kanë shndërruar pushtetin publik në pronë private dhe që institucionet e Kosovës, me ata në krye, janë në shërbim të familjes, farefisit, dhe rrethit tyre të ngushtë”, thuhet në reagim.

GLPS gjithashtu i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit që të fillojnë hetimet e të gjitha rasteve të punësimeve të familjarëve të bartësve të institucioneve.

20 Mars 2019 - 11:48

Egzon Dahsyla 20/03/2019 - 11:48
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend