Foto: Kuvendi i Kosovës

GLPS: Ekipi negociator po e legjitimon presidentin Thaçi në dialog

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e sheh ekipin e ri negociator të Kosovës, të bashkëdrejtuar nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj si legjitimues të angazhimeve të Presidentit të Vendit, Hashim Thaçi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

GLPS ka prezantuar sot analizën e projektligjit mbi Detyrimet, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror në Procesin e Dialogut.

Përparim Kryeziu nga GLPS-ja, ndër të tjera tha se sipas projektligjit të votuar në Kuvend, ekipi negociator nuk ka rol negociues, por thjesht po i jep legjitimitet Presidentit në rolin e tij në dialog.

“Nëpërmjet projektligjit mbi detyrimet dhe kompetencat e delegacionit shtetëror nuk është arritur të krijohet një rol i veçantë i ndarë nga veprimtaria e Presidentit, dhe si e tillë ajo vazhdon të funksionojë si njësi plotësuese e dhe shoqëruese, në rastet kur Presidenti ftohet nga ndërmjetësuesi për takime gjatë rundeve të negocimit. Kjo përcaktohet qartë në nenin 11.2 të projektligjit”, ka thënë Kryeziu.

Sipas studimit, GLPS ndër të tjera rekomandon që Kuvendi duhet të rishikojë dhe vlerësojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë.

Përparim Kryeziu, GLPS. Foto: Kallxo.com

GLPS rekomandon gjithashtu që delegacioni i Kosovës nuk duhet të përfaqësojë qëndrime negociuese në Bruksel për aq kohë sa këto qëndrime nuk janë të definuara në një platformë dokument të prezantuar para Kuvendit.

“Platforma duhet të përcaktojë qartë pritshmëritë minimale dhe vijat e kuqe, premisa kryesore e negocimit ose maksimumi që duhet t’i ofrojë Serbisë duhet të jetë hapja e rrugës për integrim europian të Serbisë nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve, por asnjëherë mbi kompromise që mund të prodhojnë ripërcaktim të kufijve”, thuhet në rekomandimet e GLPS-së.