GKK hap sot ekspozitën ‘A është e shkuara ëndërr?’ të Majlinda Kelmendit

Krijuesja Majlinda Kelmendi do të prezantohet sot më 5 mars 2019, në ora 19: 00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës me ekspozitën e saj personale “A është e shkuara ëndërr?”.

Ekspozita shpalos punët më të mira të krijueses Kelmendi, përmes së cilave kujtimet dhe memoria kolektive ndërthuren dhe zgjojnë  çështje për diskutim.

Në një prononcim për Kallxo.com, krijuesja Kelmendi ka pohuar se përmes kësaj ekspozite ku veprat janë në mediume të ndryshme, istalacion, vidio-art, pikturë etj., e të gjitha së bashku paraqiten si një projekt, ngritin një pyetje dhe secili e percepton në mënyrën e vet.

“Puna ime  është e influencuar nga proceset e sistemeve politike, tranzicionet sociale, ekonomike të transformimit në rajonin më të gjerë. ‘A është e shkuara ëndërr?’, tingëllon një pyetje e çuditshme, sepse askush nuk mund ta kontrollojë ëndrrën. Sistemet tranzicionet janë përpjekur  të manipulojnë historinë virtytin, por jo ëndrrën”, ka thënë ajo.

Ekspozita është kuruar nga Edison Çeraj dhe B17 architect dhe do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 5 prill 2019.