Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të Kqirajve - Foto: KALLXO.com

Gjyqtari- Tomë Gashit: Avokat, të lutem të jesh më serioz!

Edhe seanca e sotme e gjykimit të grupit të Tunë Kqirajt për fajde dhe vepra të tjera të rënda penale u përshkua me përplasje mes prokurores speciale dhe avokatit të të dëmtuarve në njërën anë dhe kryetarit të trupit gjykues në anën tjetër.

Pas përplasjes verbale për të disatën herë, prokurorja Merita Bina Rugova kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Xheladin Osmani.

Në këtë kërkesë, prokurorja e Prokurorisë Speciale u mbështet edhe nga avokati Tomë Gashi, i cili mbron të dëmtuarit Pal e Zef Gruda.

https://kallxo.com/gjykimi-i-kqirajve-per-fajde-prokuroria-ngre-dyshime-ne-gjykatesin/

Në fillim të seancës së sotme, në sallë të gjykimit erdhi edhe avokati Azem Vllasi. I njëjti pasi që hyri u përshëndet e u përqafua me avokatin Tomë Gashi.

“A të lëshuan amerikanët me ardhë a?”, i tha Gashi Azem Vllasit.

Në seancën e sotme, janë paraqitur dëshmitarët e propozuar nga prokurorja Merita Bina – Rugova.

Dëshmitari Mehmedin Ahmetaj ishte i pari që u paraqit për të dëshmuar. I njëjti porsa iu dha fjala tha: “Qëndroj pranë atyre që kam deklaruar më pare. U kry puna”.

E prokurorja reagoi duke i kërkuar trupit gjykues t’i tërheqë vërejtjen dëshmitarit dhe dëshmitarëve të tjerë, që të përgjigjen në pyetjet e saj, sepse secili nga dëshmitarët po refuzojnë të përgjigjen në pyetjet e prokurores.

I menjëhershëm ishte edhe ragimi i avokatit Azem Vllasi.

Avokati i njërit prej të akuzuarve shfaqi pakënaqësitë e tij ndaj prokurores. “Unë kam vërejtje në mënyrën si po i parashtron prokurorja pyetjet e saj, por kur unë kam vërejtje fjalën ma jep trupi gjykues, e jo prokurroja me më thanë mos fol!”, tha Vllasi.

E kur si dëshmitar u paraqit Kapllan Gashi, i njëjti tha që qëndron sikurse në deklarata e dhëna më parë.

“Kam dhënë deklaratë. Sa herë duhet unë me u përgjigj në pyetjet e tua?”, pyeti ai prokuroren speciale.

“100 herë nëse është nevoja”, i tha prokurorja Merita Bina – Rugova. “Sepse je dëshmitar e ligji të obligon me u përgjigj në pyetjet e prokurores”, shtoi ajo.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin pse po refuzon të përgjigjet. “A po frikësohesh? A ke presion?”, pyeti ajo.

“Jo, aspak, nga askush, s’kam arsye me pasë frikë”, tha dëshmitari Gashi.

E kur prokurorja po parashtronte pyetje filluan edhe kundërshtimet e avokatëve, Azem Vllasi e Skender Musa, të cilët kishin vërejtje në pyetjet e saj.

“U ba si n’pazar këtu”, tha me ironi prokurorja, e pakënaqur me rrjedhën e gjykimit.

Si rezultat ajo paraqiti kërkesën për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmani.

E aspak më mirë nuk po kalonte situata as me avokatin Tomë Gashi, i cili filloi të parashtronte pyetje për dëshmitarin, por pyetjet e të cilit i refuzonte kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani.

Pas 5-6 pyetjeve të refuzuara, gjyqtari iu drejtuar Tomë Gashit: “Avokat, të lutem të jesh më serioz! A ke ardhë me ba hajgare këtu a?’.

Gjyqtari Osmani i tërhoqi vërejtjen avokatit Gashi , duke i thënë se do të ndërmarrë edhe masa tjera më të rënda si dënimi me gjobë, e përjashtimi nga gjykimi. “S’kemi ardhë me ba hajgare këtu”, tha gjyqtari.

E pas gjithë këtyre përplasjeve me fjalë ndërmjet kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani me prokuroren dhe avokatin Gashi, atëherë erdhi kërkesa e prokurores për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.

Prokurorja konsideroi se gjyqtari Osmani nuk po e udhëheq shqyrtimin kryesor në mënyrë objektive dhe të paanshme.

Ajo kërkoi edhe video dhe audio-incizimet që i janë bërë seancave të rigjykimit, të cilat do t’i bashkëngjet si prova në kërkesën e saj për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.

Tomë Gashi, i cili po përfaqëson të dëmtuarin Zef Gruda dhe Pal Gruda, tha se e mbështet propozimin e prokurores.

Avokati Gashi tha se kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani nuk është i paanshëm në raport me palët dhe se sipas tij në raste të caktuara e bën të pamundshme kryerjen e detyrës ligjore të prokurores.

https://kallxo.com/rigjykimi-i-kqirajve-per-fajde-prokurorja-kerkon-denimin-e-deshmitarit/

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza, e Besfort Omaj kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde.

Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.