Gjina Zeqiri | Foto: KALLXO.com

Gjyqtari në udhëtim zyrtar, shtyhet seanca ndaj Gjina Zeqirit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj gjinekologes Gjina Zeqiri nuk është mbajtur seanca e paraparë që të mbahej në ditën e sotme.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra i cili ndodhet jashtë vendit në një udhëtim zyrtar.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Gjina Zeqiri, Ilfete Baxhaku e Agron Devaja, ndërsa ndaj dy shtetasve turq Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë është veçuar procedura pasi që janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Gjina Zeqiri,  Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë në klinikën private “Global Hospital”, e cila gjendet në Prishtinë në nëntor të vitit 2014, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, pasi që me rastin e trajtimit mjekësor të pacienteve në sektorin e sterilitetit (IVF), haptas nuk kanë përdorur masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe kanë përdorur produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale me pa banderolë dhe me afat skaduar.

Rrëfimi i Gjina Zeqirit nga Arratia

Në bazë të aktakuzës në periudhën prej vitit 2012 e deri me datën 14 nëntor 2014 në spitalin privat “Global Hospital”, e akuzuara Gjina Zeqiri-gjinekologe, drejtoreshë në këtë klinikë, paraprakisht pa autorizim dhe në kundërshtim për Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, pa arsye mjekësore nga persona të ndryshëm-donatorë-të dëmtuar, duke e shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit, ka blerë qeliza vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave.

Salla e gjykatës. Foto: Kallxo.com

Sipas aktakuzës, Zeqiri kishte blerë qeliza vezore nga e dëmtuara S.Sh. gjashtë herë  duke ia paguar në para të gatshme shumën prej 800 euro; të dëmtuarës tjetër S. B., si donatore, pesë herë fillimisht në çmim prej 800 euro, e pastaj në çmim prej 500 euro; si dhe në raste tjera të dëmtuarave F.M. dhe H.S. Me këto veprime, prokuroria pretendon se e akuzuara Gjina Zeqiri ka kryer veprat penale të transplantim të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ e kishte intervistuar Gjina Zeqirin në shkurt të vitit të kaluar.

Rrëfimi i Gjina Zeqirit nga Arratia

Gjina Zeqiri akuzohet edhe se në bashkëkryerje me shtetasit turq Ersan Donmez dhe Handan Nadlë për të cilët është veçuar procedura, i kanë transplantuar qelizat në të dëmtuarit që ishin pacientë të kësaj klinike duke vepruar kështu në kundërshtim me Ligjin për Shëndetin Riprodhues, duke bërë përcaktimin e gjinisë të dëmtuarve-pacienteve të cilët kanë qenë të interesuar për pranimin e këtyre qelizave.

https://kallxo.com/historia-e-mbylljes-se-spitalit-te-gjina-zeqirit/

Prokuroria e akuzon edhe Ilfete Baxhakun se ka kryer veprën penale të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore. Në aktakuzë thuhet se Baxhaku, me dashje e ka ndihmuar Gjina Zeqirin për kryerjen e veprës penale ngase ka bërë ndërmjetësimin duke kontaktuar me donatorët e vezorëve dhe duke i udhëzuar dhuruesit dhe pranuesit për tretmanin mjekësor.

I akuzuari tjetër Agron Devaja akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale ‘zbulim i fshehtësisë zyrtare’ pasi që, sipas prokurorisë, në cilësinë e personit zyrtar pa autorizim i ka kumtuar personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare duke njoftuar Gjina Zeqirin se kur do të ketë kontroll në klinikën “Global Hospital”.

KALLXO.com e ka përcjellë vazhdimisht rastin ku Gjina Zeqiri është e akuzuara kryesore. Raportimet nga ky rast mund t’i lexoni në këtë link.