Aydin Sefa Akay. Foto: Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën.

Gjyqtari i Hagës humb vendin e punës pas dënimit për ‘terrorizëm’ nga Turqia

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së nuk e riemëroi gjyqtarin e Gjykatës së Hagës Aydin Sefa Akay nën presionin e Ankarasë pasi ai u dënua se i përkiste një “organizate terroriste” që thuhet se kishte organizuar një përpjekje për grusht shteti në Turqi.

Kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Theodor Meron, tha të martën se vendimi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për të mos zgjatur mandatin e gjyqtarit Aydin Sefa Akay pasi Turqia kërkoi largimin e tij, ishte një “precedent i rrezikshëm”.

“Unë shpreh keqardhje të thellë lidhur me mosmarrëveshjen e respektuar me vendimin për të mos riemëruar kolegun tim të çmuar dhe të vlerësuar, gjyqtarin Akay, dhe shqetësimet e mia të mëdha për pasojat që ky vendim do të ketë për institucionin tonë dhe drejtësinë penale ndërkombëtare në përgjithësi,” tha Meron.

Turqia kishte bërë thirrje që gjyqtari Akay të hiqej nga posti i tij në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, pasi ai u dënua më herët këtë muaj se i përkiste një organizate të udhëhequr nga kleriku në mërgim Fethullah Gulen, që Ankaraja pretendon se është një grup terrorist që udhëhoqi një tentativë për grusht shteti në korrik 2016.

Akay u dënua me shtatë vjet e gjysmë burg nga gjykata turke, por OKB-ja e sheh arrestimin dhe dënimin e tij si një shkelje e imunitetit diplomatik që gëzon gjyqtari për shkak të pozitës së tij në organin gjyqësor ndërkombëtar.

“Pranimi në pozitën e avancuar nga qeveria e Turqisë përbën një pranim de facto të veprimeve të një shteti të ndërmarrë në kundërshtim me imunitetin diplomatik të pohuar nga Kombet e Bashkuara,” argumentoi Meron.

“Nëse shtetet lejohen të ndërmarrin masa kundër një gjyqtari në kundërshtim me kuadrin ligjor ndërkombëtar të zbatueshëm, pavarësia gjyqësore – një parim themelor i sundimit të ligjit – dhe integriteti i gjykatës tonë si të tilla janë në thelb në rrezik, siç është projekti i përgjithshëm të drejtësisë penale ndërkombëtare,” shtoi ai.

Akay u dënua për vepra terroriste për përdorimin e ByLock, një aplikacion me mesazhe të koduara që qeveria turke beson se përdorej nga mbështetësit e Gulenit për komplotimin për të shkatërruar qeverinë e Rexhep Tajip Erdoganit.

Gjyqtari mohoi çdo shkelje ligji dhe tani po apelon kundër dënimit të tij.

Dhjetëra mijëra zyrtarë të tjerë janë arrestuar në Turqi në një goditje të gjerë që nga përpjekja e grushtit të shtetit. Fethullah Gulen, i cili jeton në mërgim në SHBA, ka mohuar ndonjë përfshirje.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare është një organ i përkohshëm i Kombeve të Bashkuara i themeluar për të përfunduar punën e gjykatave ndërkombëtare penale që ndoqën penalisht të dyshuarit për krime lufte nga ish-Jugosllavia dhe Ruanda.