Adem Grabovci në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Gjyqtari ende në përgatitje të vendimit për rastin “Pronto”

Më shumë se një muaj pasi që është mbajtur shqyrtimi i dytë në rastin e njohur si “Pronto”, gjyqtari i këtij rasti Shashivar Hoti nuk ka arritur të marrë vendimin për të pranuar kërkesat e avokatëve dhe të mbrojtësve për të hedhur aktakuzën apo për t’i refuzuar këto kundërshtime.

Më 4 shkurt të këtij viti, Adem Grabovci dhe 10 të akuzuarit e këtij rasti kërkuan nga gjyqtari Hoti që aktakuza të hedhet poshtë duke e quajtur të pabazuar.

Kur kanë kaluar më shumë se 1 muaj, gjyqtari Hoti ende nuk ka arritur të finalizojë  një vendim që do t’u japë kërkesave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi,  tha se gjyqtari është në përgatitje të vendimit.

Aktakuza në rastin e njohur “Pronto” , ishte ngritur në prill të vitit të kaluar ndërsa ende nuk është arritur të  kalohet në shqyrtimin gjyqësor kryesor apo të hedhet aktakuza.

Në seancën fillestarë të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, gjyqtari Hoti nuk kishte lejuar leximin e aktakuzës përkundër se prokurorja e rastit kishte kërkuar të lexonte dhe gjithashtu edhe Kodi i Procedurës Penale.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e Prokurorisë.