Gjykimi për përleshjen mes familjeve Hoti e Duriqi | Foto: KALLXO.com

Gjykimi Shtatëvjeçar Vrasjen në Autobus

Nisi rigjykimi i anëtarëve të familjes Duriqi e Hoti të Ribarit të Madh të Lipjanit, të cilët u përleshën me armë zjarri dhe armë të ftohta në vitin 2009, ndërsa nga kjo përleshje atëherë vdiq Qamil Hoti.

Seanca që nisi dje u shty deri në muajin mars, pasi mbrojtjes i mungonin shkresat e lëndës.

Në bazë të aktakuzës së ngritur në vitin 2010, ngjarja kishte ndodhur në fshatin Ribar I Madh, Komuna e Lipjanit, kur familja Hoti vendosi të hynte në autobusin ku gjendej familja Duriqi me pistoletë e shufra hekuri në dorë.

Të akuzuarit Fadil dhe Xhezair Hoti në momentin e hyrjes në autobus kishin qenë të armatosur me armë zjarri dhe dy të pandehurit e tjerë Bedri dhe Milaim Hoti kishin me vete shkopinj druri, i akuzuari Isuf Hoti sqepar për heqjen e gozhdëve,  ndërsa i akuzuari tjetër Admir Hoti shufër hekuri.

Në autobus gjendej i akuzuari Fehmi Duriqi së bashku me axhën e tij Ramadanin, vëllanë Mentor Duriqin dhe motrën Elbasane Duriqi.

Sipas aktakuzës, I pari që kishte hyrë në autobusin ku gjendej familja Duriqi, ishte i akuzuari Fadil Hoti i cili me armë në dorë kishte thënë “zbritni poshtë,” duke iu referuar familjes Duriqi, si dhe kishte filluar të gjuante me armë zjarri në drejtim të këmbëve të Ramadan Duriqit.

Në ndërkohë, të akuzuarit e tjerë Bedri, Milaim, Isuf dhe Admir Hoti kanë filluar të godasin anëtarët e tjerë të familjës Duriqi, Mentorin dhe Elbasanen.

Më tutje, i akuzuari Fehmi Duriqi kishte nxjerrë pistoletën të cilën e mbante pa autorizim dhe kishte shtënë në drejtim të këmbëve të të akuzuarit Fadil Hoti, e më pas në drejtim të Qamil Hotit i cili gjendej në autobus.

Kjo e shtënë kishte rezultuar me vdekjen e të ndjerit Qamil Hoti në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Viktimë e këtyre të shtënave ishte edhe udhëtari i rastit Enver Hoti, i cili pësoi lëndime të rënda trupore.

Më pas, nga dera e pasme e autobusit kishte hyrë Xhezair Hoti, i cili i kishte drejtuar pistoletën në gjoks të dëmtuarit Mentor Duriqi, por ky i fundit kishte arritur t’ia ulte pistoletën poshtë, me ç’rast i akuzuari kishte shkrepur në drejtim të këmbëve të të dëmtuarit Mentor Duriqi.

I pandehuri Fehmi Duriqi akuzohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarit Fadil, Bedri, Milaim, Xhezair, Isuf dhe Admir Hoti ngarkohen për vrasje në tentativë në bashkëkryerje, ndërsa të akuzuarit Fadil dhe Xhazair Hoti për mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri