Gjykimi për vjedhje të rëndë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vjedhje të rëndë, dënohen dy të akuzuarit

Në Gjykatën e Gjakovës u mbajt shqyrtimi fillestar kundër të akuzuarve Gzim Berani dhe Jakup Hamza.

Pasi që u pyetën nga gjyqtari i çështjes Mentor Bajraktari nëse e pranojnë fajësinë, dy të akuzuarit e pranuan fajësinë për veprën penale të vjedhjes së rëndë që u ngarkohet nga Prokuroria e Gjakovës.

Të njëjtit u shpallën fajtorë.

Me këtë rast, të akuzuarit Gzim Berani iu shqiptua dënimi me burg prej 12 muaj dhe dënimi me gjobë prej 100 euro, ndërsa të akuzuarit Jakup Hamza iu shqiptua dënimi me burg prej 1 muaji  e po ashtu edhe pagimi i shpenzimeve procedurale nga secili në shumë prej 30 euro.

Në sallë të gjykimit nuk ishte prezent i dëmtuari Skënder Ibrahimi, të cilin Gjykata e udhëzoi në kontest civil.

Pasi që gjyqtari i njoftoi të akuzuarit lidhur me të drejtat e tyre, i akuzuari Gzim Berani deklaroi se do të mbrohet vetë, ndërsa i akuzuari Jakup Hamza deklaroi se dëshiron të mbrohet përmes avokatit të tij Agim Muhaxhiri.

Meqenëse avokati Muhaxhiri nuk ishte prezent, Gjykata kontaktoi të njëjtin dhe pas një ndërprerjeje të shkurtër gjykimi vazhdoi me sigurimin e prezencës së avokatit.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve nuk e kundërshtoi as prokurori Bajram Kryeziu.

“Pasi që i mbrojturi im ka pranuar fajësinë në mënyrë vullnetare, atëherë kërkoj nga Gjykata që këtë ta merr si rrethanë lehtësuese dhe t’i shqiptojë një dënim sa më të butë”, deklaroi avokati Agim Muhaxhiri.

Sipas aktakuzës dyshohet se me datë 16 shkurt të vitit 2015, gjatë orëve të natës, në Gjakovë, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, ia marrin tjetrit pasurinë e paluajtshme.

Në këtë mënyrë pasi që i akuzuari Gzim Berani shkon në rrugën “Hysni Dobruna”, ku aty ndodhej i parkuar kombi “VW”, ngjyrë e kaltër, pronë e të dëmtuarit Skënder Ibrahimi dhe me forcë hap kapakun e motorit dhe prej aty merr baterinë (akumulatorin) e markës “Vatra” 100 amp, në vlerë prej 85 euro, i cili largohet nga vendi i ngjarjes, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime dyshohet se i akuzuari Gzim ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Jakup Hamza në natën kritike tek shtëpia e Gzim Beranit ndërron DVD e tij në këmbim të akumulatorit, edhe pse i njëjti ka mundur ta dijë se akumulatori ishte i siguruar në mënyrë të vjedhur, pasi që kundërvlera e akumulatorit ishte dukshëm më e ulët se sa vlera e tregut.

Me këto veprime dyshohet se i akuzuari Jakup ka kryer veprën penale të blerjes, pranimit ose fshehjes së sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.