Selia e agjencisë në Prizren që premtonte viza pune për Gjermani - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vizat gjermane, të akuzuarit nuk pranojnë t’ua kthejnë paratë të mashtruarve

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe avokatët e të akuzuarve për mashtrim të qindra qytetarëve për sigurimin e vizave të punës në Gjermani kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për pranim të fajësisë nga të pandehurit.

Në seancën e kaluar të gjykimit, prokurori special Afrim Shefkiu kishte deklaruar se Prokuroria Speciale është e gatshme të hyjë në negocim për pranim të fajësisë, pas pranimit të propozimit me shkrim nga mbrojtësit e të pandehurve Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj.

Mirëpo, në seancën e sotme prokurori Shefkiu e njoftoi trupin gjykues të Gjykatës së Prizrenit se nuk janë marrë vesh me mbrojtjen e të akuzuarve.

Kjo për shkak se prokurori kishte ngulur këmbë se kusht i panegociueshëm për arritjen e marrëveshjes është kompensimi i të dëmtuarve.

“Mbi të gjitha, obligimi i parë i këtyre të akuzuarve do të jetë kompensimi i viktimave që janë dëmtuar në këtë proces, e numri i tyre shkon në 490. E pastaj negociojmë llojin dhe lartësinë e dënimeve si dhe dënimet plotësuese si në aktakuzë”, ka thënë prokurori Shefkiu.

“E ky kusht nuk është pranuar nga avokatët dhe të akuzuarit, meqenëse nuk ka pasur pranim të plotë të fajësisë, dhe nuk është plotësuar kushti elementar me të cilin të akuzuarit do të obligoheshin që t’i deponojnë mjetet financiare në një llogari të caktuar, me të cilin do të garantohej kompensimi i të dëmtuarve e pastaj do të negociohej për marrëveshjen e pranimit të fajësisë për veprat penale sipas aktakuzës dhe t’i gëzonin benificionet e pranimit të fajësisë”, shtoi prokurori para trupit gjykues.

Por, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Durim Nevzati e Miftar Qelaj, nuk u pajtuan me prokurorin.

Sipas tyre, Prokuroria nuk është treguar fleksibile në negocimin për marrëveshje.

“I mbrojturi im, Flamur Hoxha, ka shprehur vullnetin dhe mundësinë që të kompensohen të dëmtuarit e paraqitur nga veprimet e Flamur Hoxhës. E çdokush që pretendon se është i dëmtuar mund të iniciojë kontest civil e që sipas informatave disa tashmë veçse kanë iniciuar kontestin civil”, tha avokati Durim Nevzati.

Avokati Miftar Qelaj, i cili mbron të akuzuarin Besim Rexhaj, tha se negocimi ka qenë me kushte nga ana e prokurorit Shefkiu.

Sipas tij negocimi mund të lejojë që palët të ndryshojnë e plotësojnë dhe të heqin dorë e në fund të gjendet një kompromis.

Avokati tha se “nuk ka kuptim marrëveshja nëse vendoset sipas të gjithave pikave të aktakuzës sepse të njëjtën veprim mund ta procedonin para trupit gjykues”.

“Prokurori nuk është treguar i arsyeshëm në negocimin për marrëveshje të pranimit të fajësisë”, shtoi ai.

E në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, dhe gjyqtarët Fidan Hoxha dhe Alia Fazlija, vazhduan shqyrtimin gjyqësor, ku po ftohen të gjithë të dëmtuarit me radhë e të njëjtit po merren në pyetje si dëshmitarë.

Para fillimit të seancën sikurse thuajse në të gjitha seancat, prokurori i paraqiti trupit gjykues dokumentet e një të dëmtuari tjetër që është lajmëruar ndërkohë, e të cilët duhet të shtohen në listën e të dëmtuarve.

E njëjta situatë është paraqitur edhe më parë, kur prokurori ka paraqitur dokumente shtesë të të dëmtuarve tjerë të rinj që po paraqiten pasi që po kuptojnë se po zhvillohet një procedurë gjyqësore për rastin në fjalë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren me qëllim të përfitimit për vete dhe persona të tjerë, pasi që më parë kanë pranuar mjete monetare të shumta dhe duke i mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke përfituar me anën të veprës penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve nga secili i dëmtuar shumën prej 2.500 – 3.000 euro, ku numri i të dëmtuarve është  489, të njëjtit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë, transferuar ato te persona të tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme si vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme, shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

Në më shumë se 100 faqe aktakuzë, Prokuroria Speciale i ngarkon Flamur Hoxhën e Besim Rexhajn se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

I akuzuari Flamur Hoxha ngarkohet edhe me veprën penale të shmangies nga tatimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Tre të akuzuarit, Flamur Hoxha, Besim Rexhaj dhe Veprim Rexhepi, kishin kërkuar që t’iu mundësohet negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Në këtë rast deri më tash janë dëgjuar rreth 25 dëshmitarë, e të propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale janë të propozuar që të dëgjohen mbi 490 dëshmitarë, që të gjithë të dëmtuar financiarisht sipas Prokurorisë Speciale.

https://kallxo.com/gjykimi-per-mashtrim-me-viza-ne-prizren-te-demtuarit-morem-kredi-e-borxhe-per-te-paguar/

Ky rast është i shënjesturar për liberalizim vizash, dhe ka karakteristikë numrin e madh të të dëmtuarve, mbi 490, dhe një aktakuzë me 112 faqe.

https://kallxo.com/nis-gjykimi-me-489-deshmitare-100-faqe-aktakuze-dhe-per-1-milion-euro-te-shpelara/

www.kallxo.com