Gjykimi për falsifikim parash dhe ushqimin me afat të skaduar | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për ushqimin me afat të skaduar dhe paratë e falsifikuara

Në gjykimin ku Faton Hoti, Gyrbet Haliti dhe Lulzim Haliti po akuzohen për veprën penale falsifikim i parasë, derisa ky i fundit ngarkohet edhe me veprën penale të vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë, është mbajtur seanca fillestare.

Faton Hoti dhe Lulzim Haliti nuk e kanë pranuar fajësinë për akuzat e prokurorisë, derisa Gyrbet Haliti dëshiroi të mbrohet në heshtje në këtë fazë, mirëpo e njëjta sipas ligjit i merret si mospranim i fajësisë.

Kjo pasi që avokati i Halitit, Sevdali Zejnullahu, deklaroi se sot i ka marrë shkresat e lëndës.

Pas deklarimit të tyre rreth fajësisë, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica i njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ajo gjithashtu nuk miratoi mospranimin e fajësisë nga të akuzuarit.

Derisa pas seancës, avokati i Faton Hotit, Asdren Hoxha, tha se aktakuza e ngarkon klientin e tij padrejtësisht dhe presin që kjo aktakuzë të hidhet poshtë, e të mos procedohet me shqyrtim gjyqësor.

Sipas aktakuzës, pas marrëveshjes paraprake në mes të Lulzim Halitit dhe Faton Hotit, duke e ditur se janë në pyetje të hollat e falsifikuara, e me qëllim që të njëjtat t’i vënë në qarkullim si të vërteta, më 11 prill 2017, Faton Hoti ka marrë nga Lulzim Haliti shumën prej 2.100 eurove të falsifikuara dhe të nesërmen së bashku me të akuzuarin Gyrbet Haliti dhe Hizri Ahmeti kanë shkuar në fshatin Rogoçicë të Kamenicës, ku në tregun e bagëtisë kanë tentuar t’i vënë në qarkullim këto të holla.

Sipas aktakuzës, ata nuk kanë arritur ta realizojnë këtë synim dhe gjatë kthimit për në Podujevë, Faton Hoti dhe Gyrbet Haliti, janë ndaluar në Graçanicë nga policia dhe gjatë kontrollimit të automjetit në çantën e krahut të të pandehurit të tretë Gyrbet Haliti janë gjetur dhe konfiskuar 2.000 euro, për të cilat në bazë të raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë është vërtetuar se janë tërësisht të falsifikuara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas një muaji, gjatë bastisjes së shtëpisë të Lulzim Halitit janë gjetur dhe konfiskuar 1.120 euro, për të cilat po ashtu është vërtetuar se janë të falsifikuara.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës ngarkon vetëm të akuzuarin Lulzim Haliti për veprën penale të vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Kjo pasi që Prokuroria pretendon se nga data e pavërtetuar deri më 12 maj 2017, i ka lëshuar në qarkullim artikujt ushqimorë me afat të skaduar për të cilat e ka ditur se janë të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.

Sipas Prokurorisë, këtyre artikujve nëpërmjet ndërmarrjes së tij “N.T.P. Junior” ua ka ndryshuar afatin e përdorimit dhe një pjesë të tyre i ka lëshuar në qarkullim me afat të falsifikuar të përdorimit në marketin e tij “Luli” në një fshat të Kosovës, kurse një pjesë të artikujve i ka dërguar në depon “N.T.P. Armeka”, i cili gjendet në një fshat të Fushë-Kosovës, e pastaj nga aty me punëtorët e tij të njëjtat i ka shpërndarë në markete të tjera në territorin e Prishtinës dhe Mitrovicës.

Aktakuza sqaron se gjatë bastisjes së depos në fshatin Dumnicë janë gjetur dhe konfiskuar nga i akuzuari dy makina për paketim të llojeve të ndryshme të mallrave dhe një vulë për ndryshimin- falsifikimin e afatit të përdorimit të mallit, aceton dhe pajisjet e tjera që kanë shërbyer për fshirjen e datës së përdorimit të mallit, kurse, në depon në fshatin e komunës së Fushë-Kosovës është gjetur dhe konfiskuar një sasi e madhe e mallit me datën e ndryshuar të afatit të përdorimit me prejardhje të dyshimtë.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’