GJYKIMI PËR TERRORIZËM

Gjykimi për terrorizëm, Gjykata vendos të martën për 11 të akuzuarit

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për vepra penale të cilat ndërlidhen me terrorizëm është dhënë fjala përfundimtare.

Para se të jepej fjala përfundimtare, pas konstatimit të palëve që ishin të pranishëm në gjykatë, u konstatua se në sallë të gjykatës nuk ndodhej i akuzuari Zijadin Bytyqi për të cilin kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini tha se sipas njoftimit zyrtar nga Policia në Ferizaj, i akuzuari Zijadin Bytyqi ndodhet në arrati që dy muaj e gjysmë.

Lidhur më këtë prokuroi i çështjes Abdurrahim Islami i propozoi trupit gjykues që ta veçonte lëndën ndaj të akuzuarit Zijadin Bytyqi dhe të vazhdohej me të akuzuarit e tjerë, propozim ky i cili u aprovua nga trupi gjykues dhe ndaj të akuzuarit Zijadin Bytyqi u veçua procedura penale.

Prokurori Abdurrahim Islami, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pas administrimit të të gjitha provave pa mëdyshje është vërtetuar se të akuzuarit kanë qenë pjesë e organizatave terroriste ISIS dhe Al Nustra dhe se një gjë e tillë sipas prokurorit është vërtetuar edhe me anë të përgjimeve të bisedave telefonike të të akuzuarve.

“Nga provat e administruara është vërtetuar pa mëdyshje se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen, të njëjtit më anë të të gjitha provave është vërtetuar se kanë qenë pjesëtar të organizatave terroriste si ISIS dhe Al Nustra. Përmes përgjimeve telefonike është vërtetuar se kanë shkuar në Siri, kanë kryer ushtrimet për t`u bërë pjesë e luftërave”, tha prokurori.

Prandaj, prokurori i kërkoi gjykatës që të akuzuarit të i shpallë fajtor dhe të i dënoj sipas ligjit.

Ndërsa i akuzuari Kujtim Bytyqi i kërkoi trupit gjykues që gjykata ndaj tij të shqiptoj një dënim sa më minimal duke pasur parasysh se ai e ka pranuar fajësinë dhe se tashmë ka qëndruar në paraburgim për një kohë të gjatë.

“Unë e kam pranuar fajësinë, armën e kam pasur si dëshmi të luftës së fundit të Kosovës, kërkoj nga gjykata një dënim minimal duke pasur parasysh se 252 ditë paraburgim të cilat për mua nuk janë pak sepse kjo ka qenë një pjesë e madhe e shkëputjes nga jeta ime”, tha i akuzuari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Shabani, avokati Bekim Sylejmani në fjalën përfundimtare tha se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk e ka kryer veprën penale për të cilën pretendon prokurori special dhe se nuk ka prova të cilat mund ta vërtetojnë të kundërtën.

“Me asnjë provë nuk u vërtetua se i akuzuari Besim Shabani e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe prokuroria nuk ka deponuar prova të mjaftueshme që provojnë se i akuzuari e ka kryer atë vepër penale”, tha avokati Sylejmani.

Kurse avokati Afrim Salihu, mbrojtësi i Adil Dushit tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë qysh në Polici, andaj ai i kërkoi trupit gjykues që gjatë matjes së lartësisë së dënimit për të mbrojturin e tij të kenë parasysh faktin se ai e ka pranuar fajësinë menjëherë, tashmë është i punësuar, i njëjti kujdeset për familjen, është penduar për veprën penale që ka kryer dhe që sipas avokatit tashmë është ri-socializuar tërësisht.

Avokatja Naxharije Hoti, e cila në këtë proces gjyqësor e mbron të akuzuarin Egzon Latifi, deklaroi se prokuroria me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetoj se i mbrojturi i saj e ka kryer veprën penale për çka akuzohet, ajo tha se i akuzuari kishte shkuar në Siri për të ndarë ndihma për popullin e Sirisë e jo për të iu bashkuar luftës së ISIS dhe se një gjë e tillë mund të vërtetohet edhe nga fakti se prokurori askund nuk përmend se pjesë e cilës organizatë terroriste ka qenë i mbrojturi i saj.

“Ai nuk ka marrë pjesë në veprime inkriminuese. Motivi i shkuarjes së tij ka qenë shpërndarja e ndihmave qytetarëve sirian nga organizata “Ushtria e lirë” që ka luftuar regjimin e Assadit”, tha avokatja Hoti.

E mbrojtësja e të akuzuarit Jetmir Bushit, i cili e ka pranuar fajësinë në fazat e mëhershme, avokatja Nazmije Halimi fjalën e saj përfundimtare e dorëzoi me shkrim.

Avokati Ahmet Gjonovci, mbrojtës i të akuzuarit Artan Kadriu, tha se ndaj të mbrojturit të tij nuk ka asnjë provë që dëshmon se ai ka qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist prandaj të njëjtin propozoi që gjykata ta liroj nga akuza.

“Me asnjë provë nuk vërtetohet se Artan Kadriu ju ka bashkangjitur ndonjë grupacioni. Në asnjë nga ato foto nuk figuron i mbrojturi im. Në mungesë të provave i propozoj gjykatës të marrë aktgjykim lirues dhe i propozoj edhe ndërprerjen e masës së paraburgimit”, tha avokati Gjinovci.

Por ishte pikërisht i akuzuari Artan Kadriu ai i cili nuk u pajtua me fjalën përfundimtare të avokatit të tij, i cili tha se e kundërshton fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij ndërsa gjykatës i dorëzoi fjalën e tij përfundimtare të bërë me shkrim.

“Unë fjalën time e kam bërë me shkrim. Fjalën përfundimtare të mbrojtësit tim nuk e mbështesë ngase unë nga fillimin kam kërkuar që të mos më caktohet avokat”, tha i akuzuari Artan Kadriu.

Edhe avokati Bekim Shala që në këtë proces gjyqësor e mbron të akuzuarin Bekim Halili tha se i mbrojturi i tij ka qenë pjesë e ushtrisë së lirë Siriane dhe se nuk i është bashkangjitur asnjë grupi terrorist siç pretendon prokuroria. Ai pretendimet e prokurorisë i quajti supozime pasi tha se në kohën kur i mbrojturi i tij ka udhëtuar për në Siri, organizata terroriste ISIS nuk ka ekzistuar fare.

E avokati Muhamet Humolli i kërkoi trupit gjykues që të ja fal besimin të mbrojturit të tij Jeton Ajdinit pasi që sipas avokatit klienti i tij është i pafajshëm dhe me asnjë provë nuk mund të dëshmohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet nga prokuroria.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 17 korrik.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 7 maj 2015 ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzohen për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të akuzuarve Hadi Nura e Betim Ibrahimaj gjatë seancave të kaluara është veçuar procedura.

Kallxo.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces gjyqësor. Raportet nga ky rast mund t’i gjeni në këtë link.