Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Plagosjen e Berberit Derisa po e Rruante një Klient

Flamur Shehu, i dëmtuari i procesit ku Hamdi Novobërdaliu akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, tregoi në gjykatë se si u plagos për hakmarrje berberi Florim Arifi.

Shehu që po rruhej nga berberi Arifi në lokalin e tij “Flori” në Prishtinë në dhjetor të vitit 2011, tha se nuk reagoi pasi dëgjoi krismën e parë, ngase mendoi se bëhej fjalë për mjete piroteknike, për arsyen se Viti i Ri atëherë ishte afër.

“Unë nuk kam reaguar fare kur kam dëgjuar krismën e parë pasi që kam menduar që është ndonjë krismë e petardës, pasi që ka qenë afër Vitit të Ri, por menjëherë pas kësaj kam dëgjuar edhe dy krisma të tjera sa e di, pastaj kam vërejtur se berberi është larguar pak nga unë dhe ka rënë në tokë”, deklaroi dëshmitari Flamur Shehu.

Ai më pas tregoi se kishte dalë nga lokali, ndërsa kishte marrë vesh se të shtënat ishin kryer nga dikush që ishte larguar me një makinë të tipit “Golf 2”.

“Pasi që e kuptova që janë krisma të pushkës, nga habia e kontrollova veten me duar se a jam mirë, e pastaj kam dalë jashtë lokalit, e kur kam dalë jashtë e kam parë vetëm një veturë duke kaluar shpejt. Me sa e di vetura ka qenë ‘Golf 2’ dhe një kalimtar i rastit më thënë se këta gjuajtën”, tha dëshmitari Shehu.

Pastaj dëshmitari tregoi se të plagosurin  bashkë me disa persona tjerë e dërguan te mjeku.

“Pasi jam kthyer prapa e kam vërejtur berberin se zhagas kishte dalë para derës së lokalit, prandaj unë kam tentuar t’i jap ndihmë dhe ka ardhur edhe dikush tjetër që ishte brenda në lokal është afruar edhe ai dhe një person tjetër që nuk i njoh dhe kur e kam marrë para duarsh berberin e kam vërejtur që njëra këmbë i ka mbetur zvarrë”, tha dëshmitari Flamur Shehu.

Pastaj prokurori Hivzi Bajraktari propozoi të ftohet një ekspert mjeko-ligjor për të konstatuar dëmtimet e Florim Arifit, ndërsa trupi gjykues e miratoi këtë propozim.

Sipas aktakuzës, Hamdi Novobërdaliu në dhjetor të vitit 2011 në Rrugën “Bajram Bahtiri” të Prishtinës, në Lokalin “Flori” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes, tentoi ta privojë nga jeta Florim Arifin.

Aktakuza sqaron se këtë veprim Novobërdaliu e ndërmori pasi ishte plagosur në gju nga Florim Arifi.

Në aktakuzë tregohet se Novobërdaliu kishte hyrë në lokalin ku punonte i dëmtuari dhe me një atomë deri tash të paidentifikuar e kishte qëlluar në të dy këmbët dhe pastaj kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës në kohën kur Novobërdaliu qëlloi Florim Arifin, Arifi po e rruante Flamur Shehun, ndërsa në lokal për të prerë flokët ishte duke pritur Hasaan Paçarada.

Paçarada e Shehu janë ë dëmtuarit e këtij procesi, pasi gjatë të shtënave drejt berberit Arifi, Novobërdaliu i rrezikoi ata.

Hamdi Novobërdaliu qëndroi në arrati nga dhjetori i vitit 2011 kur akuzohet se kreu plagosjen, deri në shkurt 2017, kur u arrestua nga policia. Nga plagosja, berberi Florim Arifi pësoi dëmtime të rënda trupore.

Më 15 qershor, kur u caktua seanca e radhës, pritet mjeku ligjor të shpjegojë ekspertizën e tij.