Arkiv - Nga gjykimi i grupit 'Syri i Popullit'. Foto: Kallxo.com

Gjykimi për plagosjen e Azem Vllasit: I akuzuari thotë se është si Nëna Tereze, nuk i ka bërë keq askujt

Në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, ku dhjetë persona po akuzohen për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues, mbrojtjen e kanë dhënë të akuzuarit Avni Llumnica dhe Ragip Sallova.

Në këtë rast të akuzuar janë Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

Avni Llumnica i akuzuar për ndihëm në hakmarrje, vepra kundër rendit kushtetues dhe veprës penale dhunim, tha se në këtë rast është veç viktimë.

“S’ka asnjë arsye që të jem i përfshirë në këtë rast. Jam i pafajshëm, pra jam viktimë jo i akuzuar”, tha Llumnica.

Llumnica gjithashtu ka mohuar se kishte qenë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”, dhe se për këtë organizatë kishte dëgjuar pasi që kishte hyrë në burg.

Tutje ai tha se nuk ka pasur qëllim hakmarrjen ndaj avokatit Azem Vllasi, i cili ishte sulmuar dhe pretendohet se ishte qëlluar me armë zjarri nga i akuzuari Murat Jashari.

“Unë për Azem Vllasin nuk kam asnjë hakmarrje, nëse ka ai ndonjë hakmarrje ndaj meje unë ja ku jam”, shtoi Llumnica.

Më pas ai tregoi se së bashku me të akuzuarin Murat Jasharin, më 6 mars të vitit 2017, kishin udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë. Më pas kishin shkuar së bashku në një lokal të quajtur në Zllatar, në afërsi të Prishtinës, e aty Jashari, sipas tij, ishte takuar me të akuzuarin tjetër Sadri Ramabaja.

Por gjatë ati takimi ai tha se nuk kishin biseduar për Azem Vllasin, apo diçka kundër tij.

“Nëse dikush do të fliste diçka të tillë unë vetë do të reagoja se kam pas çka të flas për Azem Vllasin, por nuk është biseduar për të asnjëherë”, tha ai.

Në fund të mbrojtjes së tij, Llumnica tha se është shumë keq se e kanë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, duke shtuar se është i sigurt se asnjë veprim i tij nuk ka mundësi të ketë rënë në konfrontim me ligjin.

“Se çfarë mund të mendojnë, të thonë apo paragjykojnë të tjerët, unë nuk marr përgjegjësi për veprimet hetimore të prokurorit apo kujt do qoftë, unë përgjegjësi mbajë për veprime të mija dhe shkrime të mija”, tha i akuzuari Llumnica.

Ndërsa kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi- Jashanica se çfarë mendimi ka për presidentin e vendit, ai tha se nuk ka ndonjë mendim për të, por ai tha se dallon nga udhëheqësit për shkak të keqpërdorimit që ata e bëjnë në shtet.

Por sa i përket listës për likuidim ai u përgjigj se nuk ka dëgjuar për të, dhe shtoi se është si “Nënë Tereza që nuk i ka bërë keq asnjë personi në jetë”.

Por për pjesën ku e dha mbrojtjen Llumnica për veprën penale dhunim, seanca është mbyllur për publikun.

Kurse i akuzuari tjetër Ragip Sallova, sa i përket bisedimeve që pretendohet se ishin bërë ne odën e tij, mohoi te ketë pasur dijen çka do fliste Murat Jashari.

“Sikur te kisha ditë çka fol Murati në odën time, nuk e kisha thirrë kurrë. Fjalimin kur e ka dhënë nuk kam qenë brenda. Por ka ardhë djali i axhës tim Naser Sallova m’ka thanë hajde se ai po fol sene palidhje, unë kam ndërhy dhe i kam thënë baci Murat mos fol ksi muhabete se na s’jem për këto muhabete, dhe qëllimi jonë është  mi bashku këto subjekte politike jo mi nda”, tha Sallova.

Sa i përket dy deklaratave që Sallova i kishte dhënë në qendrën e paraburgimit ai shtoi se nuk qëndron prapa tyre.

“Jo kurrsesi sepse kam qenë në depresion të rëndë me shëndet”, u përgjigj ai.

Kurse për organizatën “Syri i Popullit”, ai deklaroi se për herë të parë kishte dëgjuar  këtu në Gjykatë.

Kurse sa i përket lëvizjes qe ata kishin krijuar ai tha se një gjë e tillë më nuk ekziston.

“Lëvizje nuk ka ma, po shihet qa kena vujt na që dy vjet, edhe fqinji më kqyr si me qenë terrorist”, tha ai.

Pasi që gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica kishte caktuar një seancë tjetër, gjykimi më pas u shty për një ditë tjetër. Seanca e radhës u caktuan me datat 3 dhe 8 korrik.

https://kallxo.com/nuk-lejohet-incizimi-i-seances-te-rasti-syri-i-popullit/

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt të vitit të kaluar.

Pjesë e aktakuzës janë vepra penale duke filluar nga hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha janë pjesë e aktakuzës që i ngarkon për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Murat Jashari po ashtu akuzohet për veprën penale të hakmarrjes lidhur me plagosjen e Azem Vllasit më 12 mars të vitit 2017.