Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Kultivim të Kanabisit në Oborr të Shtëpisë

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon Sheqir Bislimin se pa autorizim kultivoi kanabis me qëllimin që prej tij të prodhonte narkotikë.

Sipas aktakuzës, Bislimi farat e kanabisit i kishte blerë në Bujanovc, ndërsa këtë bimë e kishte kultivuar në oborrin e shtëpisë së tij në Dabishec të Prishtinës, deri më 22 korrik 2013 kur policia i konfiskoi atij 110 fije të bimëve të tilla.

Bislimi e kishte pranuar se kishte kultivuar bimën e kanabisit, por kishte thënë se kishte menduar se po kultivon një bimë shëndetësore për bagëti.

Sabrie Jashari, avokatja e Sheqir Bislimit para gjykatës paraqiti kundërshtimin e aktakuzës dhe dy prova të reja.

“Qëndroj në tërësi pranë kërkesës se ushtruar me shkrim  dhe në tërësi kërkoj që të vendoset si në propozim të kësaj kërkese. Rezervoj të drejtën që të propozoj dëshmitarë. Po ashtu Gjykatës I paraqes dy prova që janë dokumentacion mjekësor i QKUK-së, gjegjësisht Klinikës së Kardiologjise dhe Klinikës së Pulmologjisë “ , tha Jashari.

Prokurori Ilaz Beqiri kërkoi që trupi gjykues të hedhë poshtë pretendimet e mbrojtjes.

“Këto prova janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe mbi bazën e këtyre provave është hartuar dhe ngritur aktakuza e cila tërësisht është e mbështetur në provat e siguruara,andaj i propozoj gjykatës që të hedhet kërkesa e palës mbrojtëse për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave nga ana e mbrojtjes,të caktohet shqyrtimi gjyqësor ku edhe do të administrohen provat e propozuara “ , tha Beqiri.

Seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Dy ditë më parë KALLXO.com shkroi për një 85 vjeçar që akuzohet për kultivim të drogës.

http://kallxo.com/85-vjecari-akuzohet-per-prodhim-te-droges/