Gjykimi per mantela - Spitali i Gjakoves - KALLXO - 13.02.2019

Gjykimi për keqpërdorim me mantela, jep mbrojtjen drejtori i akuzuar i Spitalit të Gjakovës

Në gjykimin ndaj tetë të akuzuarve për manipulim me tenderin për mantelat e spitalit, sot para gjykatës së Gjakovës dhanë mbrojtjen të akuzuarit – drejtori i Spitalit Ahmet Asllani dhe të tjerët.

Ahmet Asllani drejtori ekzekutiv i Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, bashkë me të akuzuarit Mirlinda Shehu-Kaqi, Flamur Zeneli, Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Kumrije Kameri, Adnan Brovina dhe Skender Ndrecaj po ngarkohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërsa gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj Mirlinda Shehu-Kaqi dhe Flamur Zeneli për shkak të parashkrimit relativ.

Në mbrojtjen e tij drejtori i Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, Ahmet Asllani tha se pagesa e mjeteve është bërë pasi janë kryer procedurat e rregullta dhe se këshilli drejtues i cili ka vendosur për furnizimin me uniforma, përbëhet prej 5 anëtarëve.

“Në kordinim me zyrën ligjore menjëherë e kemi bërë padinë civile në departamentin për qështje ekonomike në gjykatën e Prishtinës, ndaj fituesit të tenderit që ka pasur me sjellë uniformat”, tha drejtori Ahmet Asllani.

Ai tha se komisionin e cakton drejtori ekzekutiv në bashkëpunim me anëtarët e këshillit drejtues.

“Unë nuk kam qenë i njoftuar me shkrim për mosardhjen e mallit sipas kontratës, si drejtor nënshkruaj i fundit, në fillim nënshkruajnë të gjitha zyrat e pastaj unë”, tha Asllani.

“Nuk më kujtohet që anëtarëve të komisionit, Mirlindës, Kumrijes dhe Mentorit, të ju kem thënë ta përpilojnë dhe ta nënshkruajnë procesverbalin për pranim të mallit”, tha drejtori Asllani.

Ndërkaq, e akuzuara Mirlinda Mullahasani tha se qëllimi i saj ka qenë i mirë, që të mos humben mjetet, pasi që ka qenë fundi i vitit.

“Kam qenë anëtare e komisionit për vlersim të tenderit, por premtimi i firmës që e ka fituar tenderin  NSHN El-Ri Graphic” ka qenë që brenda muajit të sillet edhe pjesa tjetër e uniformave që nuk kanë ardhur, por të njëjtit nuk i kanë sjellur”, tha Mirlinda Mullahasani.

“Nuk kam qenë prezent kur kanë ardhur uniformat sepse ato janë dorëzuar tek depoisti, por pas konsulltimit me drejtorin, kam bërë procesverbalin dhe kemi nënshkruar”, tha Mirlinda.

Ajo tha se kanë ardhur përafërsisht 248 uniforma, ndërsa me kontratë ka qenë e paraparë mbi 400 sosh.

Dy seanca të këtij gjykimi kishin dështuar, si pasojë e mungesës së të akuzuarve.

 

https://kallxo.com/deshton-gjykimi-per-keqperdorim-me-mantela-ne-spitalin-e-gjakoves/

Ndërsa Mentor Bytyqi, deklaroi se prej vitit 1999 punon si infermier i përgjithshëm në spital.

“Kam qenë në komisionin për verifikimin e tenderëve, kam bërë pranimin e uniformave mirëpo nuk kemi pasur më njohuri për ardhjen e uniformave tjera”, tha Mentor Bytyqi.

“Uniformat i kemi numëruar në depo në prezencën e depoistit Adnan Brovina dhe drejtori disa herë ka kontaktuar me firmën por ata nuk e kanë përmbushur detyrimin për sjelljen e uniformave”, deklaroi Mentor Bytyqi.

Më pas Kumrije Kameri tha se procesverbalin për pranim vetëm e ka nënshkruar edhe pse s`ka qenë anëtare e ndonjë komisioni.

“Unë nuk kam dijeni, për këto probleme kam mësuar kur ka ardhur policia për të na njoftuar”, tha Kumrije Kameri.

Tetë të akuzuarit, dy prej të cilëve përfaqësues të një biznesi si dhe drejtori aktual i spitalit, akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës se manipuluan me numrin e mantelave të cilat ishin paguar nga Spitali.

Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm.

 

https://kallxo.com/nis-gjykimi-i-te-akuzuarve-per-keqperdorim-me-mantela-ne-spitalin-e-gjakoves/

 

Ndërsa Adnan Brovina, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare deklaroi se si depoist në atë kohë kur i kanë pranuar uniformat, nuk ka bërë procesverbal dhe as nuk ka nënshkruar askund.

“Uniformat i kanë pranuar me urdhër të drejtorit të infermierisë Skender Ndrecaj dhe ky mall nuk ka qenë i regjistruar dhe ato uniforma i kanë sjellur dy punëtorë në thasë, të cilat nuk i kemi hapur”, tha depoisti Adnan Brovina.

“Është hera e parë që ne kemi pranuar mall pa asnjë fletë dërgesë dhe faturë”, tha Adnan Brovina.

Në gjykimin e sotëm ishte edhe përfaqësuesja ligjore e Spitalit Regjional “Isa Grezda”, Valdete Rudi.

Ndërsa Skender Ndrecaj si drejtor i Infermierisë i akuzuar për ushtrim të ndikimit tek depoisti i spitalit, tha se uniformat kanë qenë të këqija dhe se nuk ka qenë prezent në pranimin e tyre, siç thotë depoisti Brovina.

“Pasi që e kam parë kualitetin e uniformave, i kam thënë depoistit që këto uniforma duhet të kthehen mbrapa sepse nuk kanë ardhur sipas porosisë”, tha Skender Ndrecaj.

Ai tha se vendimin për shpalljen e tenderit për blerjen e uniformave e ka bërë këshilli drejtues, në të cilin këshill bënë pjesë edhe vet ai.

“Ka qenë kompetencë e zyrës së prokurorimit të ndërmerr masa për mospërmbushje të kontratës sipas tenderit”, deklaroi drejtori i infermierisë Skender Ndrecaj.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në janar të këtij viti, kanë dëshmuar dëshmitarët Samir Kaqi, Ramiz Seremi, Alvit Seremi.

 

https://kallxo.com/tre-deshmitare-ne-gjykimin-per-mantelat-e-spitalit-te-gjakoves/

 

Ahmet Asllani drejtori ekzekutiv i Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, bashkë me të akuzuarit Mirlinda Shehu-Kaqi, Flamur Zeneli, Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Kumrije Kameri, Adnan Brovina dhe Skender Ndrecaj po ngarkohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Gjykimin e sotëm e drejtoj kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Manduhije Syla.

Sipas aktakuzës, këta të akuzuar furnizimet me mantela për spitalin që kryheshin me sasi më të vogla, në letra i shënonin në sasi më të madhe të mallit.

Dy të pandehurit Mirlinda Shehu, menaxhere në ndërmarrjen El-Ri Graphic dhe Flamur Zeneli, po akuzohen se nuk i kishin dorëzuar spitalit mantelat të cilët ishin paraparë në kontratë.

“Në kontratë përfshiheshin 48 copë mantela me ngjyrë të bardhë, 302 copë pantallona dhe bluza të bardha, 78 copë pantollana dhe bluza të gjelbëra, 41 copë pantollana dhe bluza të pembe dhe 17 copë me ngjyrë të kaltër, ku vlera e këtyre arrin në 9.855 euro”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa tre të pandehurit Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri, kishin nënshkruar dokumentacionet të cilat tregonin se materialet janë dorëzuar.

Për të pandehurin Adnan Brovina në aktakuzë thuhet se në cilësinë e personit zyrtar-depoist, ka pranuar më pak uniforma se sa ishte e përcaktuar në kontratë.

 

https://kallxo.com/mjeke-e-infermiere-te-gjakoves-akuzohen-per-keqeperdoime-me-mantela/

 

Sipas aktakuzës po ashtu ishte përfshirë edhe përgjegjësi i infermierëve Skender Ndrecaj, i cili thuhet se ka bërë presion tek depoisti për pranimin e sasisë më të vogël të mantelave.

Si rrjedhojë këtë rast Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje, pasi që avokatët e të akuzuarve ishin ankuar në Apel, pasi që Gjykata Themelore kishte refuzuar kundërshtimet e aktakuzës dhe provave nga ana e tyre.

 

https://kallxo.com/apeli-kthen-ne-rivendosje-rastin-e-8-te-akuzuarve-per-keqperdorim-me-mantela-ne-spitalin-e-gjakoves/

 

Kallxo.com kishte shkruar në Tetor për refuzimin nga gjykata të kundërshtimeve të aktakuzës.

 

https://kallxo.com/te-akuzuarit-per-keqperdorim-me-mantela-ne-spitalin-e-gjakoves-kundershtojne-akuzat/

 

Bëhet e ditur tashmë, se nga ana e Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, është parashtruar padia për përmbushjen e obligimeve kontraktore ndaj të paditurës “NSH EL-Ri Graphic” dhe vlera e kontestit është 5.469.75 euro.

Kjo padi është dorëzuar si kopje në gjykatë dhe e njëjta vërteton se i ka shkaktuar dëm material Spitalit Rajonal.