Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Grabitjen në Dyqanin e Pompës së Derivateve

Rinor Grajçevci, i akuzuari për grabitje në dyqanin e një pompe të derivateve nuk erdhi në gjykatë.

Kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri me fillim të seancës deklaroi se i akuzuari nuk e ka arsyetuar mungesën.

“I akuzuari ka qenë i ftuar për datën dhe kohën e mbajtjes së seancës, por i njëjti nuk ka ardhur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar”, tha Gërguri.

Ajo pastaj për mungesë kushtesh e shtyri seancën që duhej të mbahej sot.

“Andaj pasi që sot nuk kemi kushte për mbajtjen e kësaj seance, atëherë kjo seancë shtyhet dhe caktohet për datën 6 qershor”, tha Gërguri.

Kryetarja e trupit gjykues bëri të ditur se për të akuzuarin Rinor Grajçevci do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë nga policia për seancën e radhës.

Sipas aktakuzës, Rinor Grajçevci në maj të vitit 2013 në Lagjen “Arbëria” në Prishtinë, në bashkëveprim me personin NN, me qëllim që vetes  t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me veturës e tipit “VW GOLF 4” është afruar te dera e marketit të pompës së derivateve “Sllovenia Petrol”.

Në aktakuzë më tutje thuhet se për shkak të afrimit me makinë, sensorët nuk e kanë mbyllur derën e marketit, ndërsa duke e shfrytëzuar këtë situatë me thikë në dorë Grajçevci ka dalë nga vetura dhe ka hyrë me vrap në market.

“Rinor Grajçevci posa ka hyrë brenda, të dëmtuarit Ardian Ejupi ia ka vënë në fyt thikën, e ka vendosur në një kënd në raft, pastaj i ka marrë paratë në vlerë prej 560 eurove si dhe 3 boksa cigare dhe me shpejtësi është larguar nga vendi”, sqarohet në aktakuzë.

KALLXO.com ka shkruar edhe për procese tjera gjyqësore që lidhen me grabitjet.

http://kallxo.com/denohen-burg-te-akuzuarit-per-grabitjen-e-17-personave/

http://kallxo.com/gjykimi-per-plagosjen-dhe-grabitjen-e-punetorit-te-pompes/