Gjykimi për Grabitjen e Taksistit

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës vazhdoi gjykimi ndaj të akuzuarve Sami dhe Fehmi Parduzi për grabitje në fshatin Kovaqicë të Mitrovicës.

Dy të lartcekurit akuzohen nga Prokuroria e atëhershme e Qarkut se në qershor të vitit 2010 në fshatin Kovaqicë – Mitrovicë duke vepruar në grup së bashku me të miturin T. P. pas marrëveshjes paraprake kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të dëmtuarës radio taksi “Caci”, me qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës të pandehurit Fehmi dhe Sami Parduzi kishin telefonuar te radio taksi “Caci” vozitësin Bahri Gashi dhe i kishin thënë që të shkonte për ta marr një fëmije të sëmurë, duke i thënë të ndalonte të vendi ku ishin të prera disa dru dhe se aty ishte një rojtar.

Ndërsa i mituri T. P. e kishte luajtur rolin e pylltarit duke i thënë vozitësit Bahri Gashi se “tani do të vije ai që të ka thirr, sepse e ka shtëpinë me larg”.

Pastaj vozitësi Gashi e kishte parkuar veturën dhe duke pritur ishin paraqitur dy të pandehurit të maskuar dhe me drunj në dorë. I pandehuri Fehmi Parduzi e ka sulmuar taksistin Bahri Gashi duke e goditur në trup ndërsa i pandehuri tjetër Sami Parduzi kinse po e sulmon rojtarin e druve të miturin T. P. siç ishin marr vesh më herët, me ç’rast vozitësit Bahri Gashi i kishin marrë 30 euro dhe tre telefona mobil në vlerë prej 100 euro, që kanë qenë pronë e radio taksit ‘Caci’, pastaj e kishin urdhëruar që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë sipas aktakuzës së Prokurorisë ata kanë kryer veprën penale Grabitje.

Në seancë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani dy të pandehurit u deklaruan se nuk e ndienin vetën fajtor për veprën që i vihej në barrë.

Pas kësaj procedura kaloi në dhënien e fjalës hyrëse. Prokurori Ismet Ujkani tha se nga provat që do të nxirren gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nga ato të paraqitura në aktakuzë do të dëshmohet fajësia e të akuzuarve.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Sami Parduzi, avokati Avdi Dinaj në fjalën hyrës tha se aktakuza është ngritur në mbështetje të provave të cilat gjenden në shkresat e lëndës ku në të gjitha deklaratat që ka dhënë Bahri Gashi para ngritjes se aktakuzës askund nuk thekson përdorimin e ndonjë mjeti nga ana e personave të maskuar, gjithashtu avokati shtoi se edhe pse nuk gjendej në arsyetimin e aktakuzës i gjithë përshkrimi i veprës penale ishte bazuar në deklaratën e një të mituri procedura ndaj të cilit është veçuar.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Parduzi, avokat Xhelal Hasani e mbështeti fjalën e mbrojtësit Avdi Dinaj duke shtuar se i mbrojturi i tij në kohën kur kishte ndodhur ngjarja kishte qenë jashtë vendit dhe se për këtë posedonin një dokument në gjuhen gjermane.

Në seancë dëshminë e dha edhe dëshmitari Bahri Gashi, i cili tregoi para trupit gjykues si kishte ndodhur ngjarja.

“Nuk me kujtohet saktësisht se ka kaluar kohë e gjatë, por e di se më kanë thirr në telefon me shku në një vend që nuk isha më parë, kinse me shku me marr një fëmije të sëmurë , më kanë thënë të ndalem të në vend që kanë qenë të prerë disa drunj”, tha dëshmitari.

Tutje ai tregoi se pasi që ishte ndalur kishte takuar një djalë të ri i cili i kishte thënë se pas pak do të shkonin personat që e kishin thirrur.

Dëshmitari gjithashtu tha se pasi që kishte pritur rreth 20 minuta, kishte dal nga vetura për tu ajrosur si thoshte ai dhe në atë kohë kishin shkuar dy perona të maskuar ku njeri nga ta e kishte shtyre me duar të vetura duke e urdhëruar të mbështetet me duar lartë.

Me pas dëshmitari tregoi se dy personat e maskuar kishin filluar ta kontrollonin.

“Kanë filluar me na sulmuar, njeri me maskë e ka goditë atë djalin e ri, unë kam filluar të dyshoj që më kanë bërë ndonjë kurth, sepse ai djali nuk reagonte kur e godisnin, nuk kishte frikë as kurgjo. Kanë filluar me na hallakat edhe i gjetën do pare qe janë kanë në kerr, edhe mu ka kthye me tha çka po do me këto, prapë me ka kontrolluar mi ka gjetur 20 – 30 euro afërsisht”, tha dëshmitari.

Gjyqtari Avni Mehmeti tregoi se i dëmtuari Kastriot Bahtiri njëkohësisht edhe dëshmitar ishte ftuar nga gjykata me ftesa të rregullta, por nga fletëkthesa kishte rezultuar se i njëjti gjendet në përmendim. Ndërsa prokurori propozoi që kjo të verifikohej përmes policisë.