FOTO KALLXO.com - Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve - 03.07.2019

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për vizat italiane, Gjykata veçoi procedurën

Mungesa e të akuzuarës Liridona Beqiri ka bërë që Gjykata ta konsideroj veçimin e procedurës penale në rastin ndaj të akuzuarve për keqpërdorim me viza italiane, në mesin e të cilëve është i akuzuar edhe djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.

Me fillim të seancës gjyqësore pas konstatimit të palëve të pranishme në sallë të Gjykatës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica konstatoi se në sallë të Gjykatës nuk është e pranishme e akuzuara Liridona Beqiri.

Për të akuzuarën në fjalë, gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica tha se e njëjta e ka njoftuar Gjykatën se është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe pasi që është hera e dytë që e njëjta e akuzuar mungon, gjykatësja Krasniqi-Jashanica deklaroi se ndaj të njëjtës ka lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë nga Policia.

“Liridona Beqiri ka njoftuar se është në gjendje jo të mirë shëndetësore ndaj saj është lëshuar urdhëresë për shoqërim me detyrim nga Stacioni Policor në Mitrovicë. Ka sjellë në Gjykatë edhe disa vërtetime mbi gjendjen e saj shëndetësore dhe arsyet e mungesës për seancën e sotme. Kjo është hera e dytë që mungon Liridona, sidoqoftë ne si Gjykatë nuk jemi të interesuar të shkojmë në zhagitje”, deklaroi gjykatësja Krasniqi-Jashanica.

Më pas gjykatësja kërkoi edhe mendimin e palëve lidhur me propozimin për veçim të procedurës penale me qëllim të mos prolongimit të mëtejmë të kësaj çështje.

Lidhur me idenë për veçimin e procedurës penale, kundërshtime nuk pati nga ana e Prokurores Florije Salihu- Shamolli.

Me propozimin për veçim të procedurës penale u pajtua edhe avokati Besnik Berisha, i cili tha se Gjykata e ka për detyrim veçimin e procedurës penale me qëllim që secilit të akuzuar t’i mundësohet një gjykim në një kohë sa më të arsyeshme pasi që sipas Berishës tashmë kanë kaluar tri vite që nga ngritja e aktakuzës dhe ende nuk është proceduar më tej me këtë çështje.

“Kanë kaluar tri vite prej që ne vijmë këtu në përpjekje me përfundu ky proces, tri vite nga dorëzimi i aktakuzës, pavarësisht vështirësive Gjykata duhet ta veçoj procedurën për t`i mundësuar secilit nga të akuzuarit një gjykim brenda një kohe të arsyeshme… Zvarritja besoj që nuk i përgjigjet askujt e aq më pak atyre që kanë barrën e procedurës penale dhe kritika publike sepse është kriju një përshtypje që është interesi ynë me e zvarritë këtë lëndë”, deklaroi mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha.

Me deklarimin e avokatit Berisha u pajtuan edhe të gjithë mbrojtësit e tjerë, të cilët i propozuan Gjykatës që ta veçoj lëndën.

Kurse pas këshillimit dhe gjykimit, trupi gjykues vendosi që ta veçoj procedurën penale ndaj të akuzuarve Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Beholli dhe Astrit Haraqija.

“Për çështje të ekonomizimit të kësaj procedurë të mungesës së vazhdueshme të disa prej të akuzuarve në shqyrtimet e kaluara dhe për shkak të rëndësisë së efikasitetit të kësaj çështje penale veçohet procedura penale ndaj pesë të akuzuarve të parë, sigurisht që do të bihet një aktvendim i veçantë dhe më pas do të precizohen dhe veprimet e të akuzuarve të përfshirë në pjesën e dytë”, ka deklaruar gjykatësja Krasniqi-Jashanica.

Pas veçimit të procedurës penale në sallë të Gjykatës qëndruan vetëm të akuzuarit Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Beholli dhe Astrit Haraqija së bashku me mbrojtësit e tyre kurse nga salla e Gjykatës u larguan të akuzuarit e tjerë.

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve – 03.07.2019

 

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Të gjitha raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.