Gjykimi ndaj anëtarit bordit të 'Eco Higjienës' drejt fundit, i akuzuari kërkon të lirohet nga akuza

Në Gjykatën e Gjilanit ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Senad Ramajt, i cili po gjykohet se në cilësinë e anëtarit të bordit të drejtorëve të kompanisë “Eco Higjiena” me veprimet e tij ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor u procedua me fjalën përfundimtare të palëve.

Fillimisht kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Aziz Shaqiri konstatoi se palët kanë dorëzuar me shkrim fjalët e tyre përfundimtare dhe se Gjykata me kohë të njëjtëve ua ka dorëzuar fjalët përfundimtare të tyre.

Prokurori i shtetit Arben Ismajli, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim edhe atë para kësaj seance të dorëzuar më 2 nëntor 2018, duke propozuar që fjala e tij përfundimtare e dorëzuar me shkrim të konsiderohet si pjesë përbërëse e procesverbalit të shqyrtimit të sotëm gjyqësor.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Senad Ramaj, avokati Engjëll Rexhepi deklaroi në fjalën përfundimtare të tij se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare dhe se fjalën përfundimtare të pranuar me shkrim nga ana e prokurorit të shtetit e kundërshtojnë në tërësi për shkak se, sipas tij, e njëjta është e pambështetshme dhe nuk paraqet gjendjen reale të vërtetuar me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari Senad Ramaj deklaron se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij duke shtuar se “lidhur me akuzën për të cilën rëndohem nuk kam përfituar as personalisht e as në dobi të personit tjetër, s’kam realizu kurrfarë përfitimi por edhe Institucionin ku unë punoj nuk e kam dëmtuar”.

Ndër të tjera Senad Ramaj rreth asaj për të cilën akuzohet deklaroi se konsideron se ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij, duke përfshirë edhe atë në cilësi të anëtarëve të bordit të drejtorëve por edhe të komisionit për shitjen e aseteve të amortizuara edhe vlerësimin e aseteve të amortizuara.

Për fund Ramaj kërkoi nga trupi gjykues që ta lirojë nga përgjegjësia penale “në mungesë të provave”.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, Senad Ramaj, në fund të vitit 2012 dhe fillimin e vitit të 2013  si anëtar i bordit të kompanisë “Eco-Higjiena”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që sipas Prokurorisë me vendimin e falsifikuar ka formuar komisionin për shitjen e aseteve, pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik, ashtu që ka shitur shtatë automjete (kamioneta) dhe kontejnerë – pronë e kompanisë “Eco-Higjiena”, të cilat asete janë vlerësuar në kontabilitet në shumën prej 80 e mijë e 576 euro, ndërsa të njëjtat automjete-asete dhe kontejnerë janë shitur për mbeturina hekuri në total në shumën prej 16 mijë e 249, 30 euro, ashtu që këto asete janë shitur edhe pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës reale ekonomike.

Në këtë mënyrë të dëmtuarën “Eco Higjiena” pjesën publike e ka dëmtuar në shumën prej 64 mijë e 327, 53 euro.

Për fund, trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Aziz Shaqiri kryetar, Luljetë Shabani dhe Islam Thaqi anëtar, morën aktvendim përmes të cilit njoftuan se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 15 nëntor 2018.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

https://kallxo.com/i-akuzuari-une-nuk-kam-vendosur-vete-per-shitjen-e-aseteve-te-eco-higjienes/

www.kallxo.com