Gjykimi i zyrtarëve të "Lesna"-s - Foto: KALLXO.com

Gjykimi kundër zyrtarëve të ‘Lesna’-s, dëshmitarët mohojnë të kenë aplikuar për kredi

Në gjykimin e zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna”, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani, sot kanë dëshmuar tre dëshmitarë.

Jonuzi dhe Hasani po gjykohen në Gjykatën e Mitrovicës për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Pas pyetjes së prokurorit Ismet Ujkani se a kishte aplikuar ndonjëherë për kredi në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë, dëshmitarja Henora Rexhepi deklaroi se nuk kishte aplikuar asnjëherë dhe se nuk e kishte dituar as që ka ekzistuar një institucion i tillë financiar .

Kurse lidhur me pyetjen e prokurorit se a kishte nënshkruar një kontratë bujqësore në vlerë prej 1.800 euro, dëshmitarja deklaroi se nuk kishte nënshkruar asnjëherë një kontratë të tillë.

Por dëshmitarja deklaroi se kishte marrë kredi në vlerë prej 1.800 në Bankën për Biznes pasi që këtë prej saj e kishte kërkuar Avdullah Ferizi. Më pas këto të holla sipas saj ia kishte dërguar Avdullah Ferizit dhe se nuk e kishte pyetur se nga vinin ato para duke menduar se i takonin të njëjtit.

Sipas saj, i njëjti po ashtu i kishte premtuar asaj se do ta punësonte si kontabiliste në firmën e tij.

Ndryshe, Avdullah Ferizi kishte pranuar akuzën për mashtrim ndërsa më 27 shkurt 2018 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me dy vjet burgim dhe ishte obliguar që në vlerë prej 43.500 euro të kompensojë katërmbëdhjetë të dëmtuarit, të cilët sipas Prokurorisë kanë rënë pre e mashtrimit gjatë vitit 2011, derisa i akuzuari ka ushtruar detyrën e menaxherit të fermës së bagëtive.

Dëshminë në këtë seancë e ka dhënë edhe Naime Bojku.

Gjatë dëshmisë, Bojku deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni se është lidhur kontratë për kredi në emër të saj.

Ajo tha se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë në vlerë prej 3.000 euro.

Ajo pohoi se kishte marrë kredi në vlerë prej 3.000 euro në Bankën për Biznes por se këto para nuk i kishte përdorur për nevoja të saj por ia kishte dhënë Avdullah Ferizit.

Sipas saj i njëjti i kishte premtuar se do ta punësonte në fermën e tij të bagëtive.

Pasi që u pyet nga prokurori se a e njihte të pandehurin Ardian Jonuzi, dëshmitarja deklaroi se nuk e njihte të akuzuarin.

Seanca ka vazhduar me dhënien e dëshmisë se Astrit Sylës, i cili bazuar në shkresat e lëndës ka qenë garantues për marrjen e kredisë në institucionin financiar “Lesna“, në emër të Naim Zukës.

Pas pyetjes së prokurorit Ismet Ujkani, dëshmitari Syla deklaroi se ai nuk e dinte që Naim Zuka ka marrë kredi dhe aq më pak se ai vetë ka qenë garantues për marrjen e saj.

Ai tha se e dinte për ekzistimin e institucionit financiar “Lesna” në Mitrovicë pasi që ishte nga qyteti, ndërsa nuk i njihte të akuzuarit Liridon Jonuzi dhe Berat Hasani.

Paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit Ardian Jonuzi, avokati Adem Vokshi, kërkoi nga trupi gjykues më kryetar Beqir Halili që të hidhet aktakuza.

“Nga seanca e kaluar deri më sot, kam marrë dokumentacionin nga ana e Prokurorisë dhe pas shqyrtimit të këtij dokumentacioni unë Gjykatës i propozoj që të bjerë aktvendim me të cilin do të hedhë aktakuzën. Neni 6 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të cilën ne duhet ta zbatojmë si prioritet në krahasim me dispozitat e  ligjeve tona konform nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës, parasheh se ndaj një personi të zhvillohet një procedurë e drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe me afatin e arsyeshëm. Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë mendimin juridik më 29.09.2016, ku thekson se me qëllim të respektimit të standardit për një gjykim në një afat të arsyeshëm dhe për siguri juridike, ligjdhënësi i ka limituar në aspektin kohor veprimet e policisë që brenda 24 orësh duhet të dorëzohet kallëzimi penal, veprimet e prokurorisë që brenda 30 ditëve të hedhë kallëzimin penal e nëse nuk e hedh kallëzimin penal duhet që brenda 24 muajve me vazhdim të mundshëm edhe për 6 muaj të përfundojnë hetimet. Nëse prokurori i shtetit nuk e ka hedhur kallëzimin penale brenda 30 ditëve dhe për 24 muaj nuk ka filluar e as përfunduar hetimin, ai nuk ka mundësi tjetër përpos ta hedhë kallëzimin penal dhe për ta pushuar procedurën penale, pavarësisht se ai në aspektin formal asnjëherë s’i ka filluar hetimet. Në të kundërtën limitimi në kohëzgjatjen e hetimeve prej 24 muajsh nga ligjdhënësi do të jetë i pa efekt“, tha avokati.

Kurse prokurori Ismet Ujkani kërkoi që procedura të vazhdojë sipas ligjit.

Ndërsa trupi gjykues më aktvendim refuzoi kërkesën e avokatit, pasi që sipas tyre aktakuza tashmë ka marrë formën e prerë duke cekur se këto veprime, mbrojtësi është dashur t’i marrë gjatë fazës së shqyrtimit fillestar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ardian Jonuzin dhe Berat Hasanin se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jobankar “Lesna”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredimarrësve, me ç‘rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Ardian Jonuzi ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredimarrësve.

Kurse Berat Hasani akuzohet se në emër të kredi marrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.