Foto: Bujar Nerojvaj/Facebook

Gjykimi i zv/ministrit të Haradinajt, inspektorët tregojnë arsyet pse nuk u rrënuan objektet pa leje në Prizren

Inspektorët komunal dëshmojnë në gjykimin e zëvendësministrit Nerjovaj, i cili po akuzohet se nuk rrënoi Hotelet pa leje dhe me mbindërtim.

Bujar Nerjovaj, zëvendësministër i Administratës Publike, sërish i mohoi akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nerjovaj akuzohet për periudhën sa e kryente funksionin e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektoratit në Prizren,

https://kallxo.com/zevendesministri-i-akuzuar-per-keqperdorim-te-detyres-sot-para-gjykates/?fbclid=IwAR3mMWEpCGg0jS9prVZEDGxZAVkctiZfQa4ZJYQlnyQPV-_jXQodcqUNyUU

Sipas aktakuzës ish-drejtori Bujar Nerjovaj, nuk ka zbatuar konkluzionet e inspektorëve, e në bazë të këtyre konkluzioneve të inspektoratit, ish-drejtori Nerjovaj është dashur të bëjë rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimit në objektet hoteliere si në vijim: Hotel ”Shadërvan”, Hotel ”Classic”, “Hotel” Centrum” (të gjitha këto me mbindërtime) si dhe rrënimi i Hotel ”Kaçinari” (sipas aktakuzës i ndërtuar pa leje) të gjitha në Prizren, si dhe objektet hoteliere në fjalë, të gjitha me lokacion gjenden në Zonën e parë të Qendrës Historike në Prizren.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, i akuzuari Nerjovaj nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet.

I njëjti njëherit kërkoi falje për veprimet e tij në seancën e kaluar, kur ai kishte kërkuar ndërprerjen e seancës gjyqësore, sepse do të hynte në negociata për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

“Kërkoj falje për veprimin tim, ka qenë veprim i pa matur dhe i pamenduar mirë, duke mos i ditur pasojat e veprimit”, deklaroi i akuzuari.

https://kallxo.com/zevendesministri-hyn-ne-negociata-me-prokurorine-per-marreveshje-per-pranimin-e-fajesise/

Në fjalën hyrëse prokurori Metush Biraj, tha se nga provat e siguruara nga hetimet pa mëdyshje do të vërtetohet teza e aktakuzës se i akuzuari e ky kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Avokati Blerim Mazreku që mbron zëvendësministrin Bujar Nerjovaj, tha se gjatë gjykimit do të vërtetohet se i mbrojturi i tij detyrat i ka kryer me ndershmëri, të plotë.

“Veprimet për të cilat akuzohet i mbrojturi im, i njëjti me asnjë dispozitë ligjore nuk ka qenë i obliguar që t`i kryejë, por këto veprimet kanë qenë të obliguar që t`i kryejnë personat tjerë”, tha avokati Mazreku.

Në gjykimin e sotëm si dëshmitarë të propozuar nga ana e prokurorit Metush Biraj, i cili përfaqëson aktakuzën, u paraqitën inspektorët e sektorit të ndërtimtarisë Ruzhdi Daka, dhe Nexhmedin Musliu.

I njëjti gjatë kohës sa i përgjigjej pyetjeve të prokurorit Biraj, deklaroi se cila është detyra e tij.

“Unë si inspektor procedurën e kryej deri në konkluzion, e një konkluzion të tillë e kam dorëzuar në Drejtori, mandej organizimin e rrënimit e bën gjithnjë Drejtoria”, deklaroi dëshmitari.

“Në rastet kur ka tejkalim të lejes së ndërtimit apo ka ndërtim pa leje, fillimisht merret vendim për rrënim vullnetar nga vetë pala, e nëse pala nuk reagon atëherë nxirret një konkluzion për rrënim të dhunshëm nga Drejtoria”, tha dëshmitari Daka.

“Në rastin konkret unë për Hotel ”Kaçinari” kam dorëzuar konkluzion te drejtori, por drejtori ka kërkuar që në konkluzion t`i shtohet edhe emri i kryetarit të Komunës, prandaj përveç emrit tim dhe të drejtorit me kërkesë të tij kam shtuar edhe emrin e kryetarit të Komunës”, tha ai.

Në pyetjet se pse nuk janë realizuar dhe ekzekutuar këto konkluzione për rrënim, dëshmitari tha se nga drejtori i kishte thënë se do të formohej një task-forcë e cila do të merrej me të gjitha ndërtimet në Zonën Historike të Prizrenit.

Kur po merreshin në pyetje këta dëshmitar, trupi gjykues refuzoi disa pyetje të prokurorit dhe avokatit mbrojtësit Blerim Mazreku, sepse ata ju referuan disa deklaratave të dëshmitarëve të dhëna në Polici.

Dëshmitari tjetër Nexhmedin Musliu, arkitekt në Komunën e Prizrenit, gjithashtu tha se: “Kur i kemi bërë konkluzionet kemi caktuar datat për rrënim, e na është thënë që objektet në fjalë hotelet, do t`i rrënojmë. Mirëpo ndërkohë objektet kanë mbet ashtu dhe nuk është marrë një hap për rrënimin e tyre, kjo pasi që na është thënë që do të formohet një task-forcë që do të merret me të gjitha objektet në Zonën Historike të Prizrenit”.

Sipas trupit gjykues këto deklarata dëshmitarët në atë kohë i kishin dhënë në cilësi të të pandehurit, e si të pandehur nuk ishin të obliguar të thonë të vërtetën, por vetëm kur janë në cilësi të dëshmitarit.

E si dëshmitar i fundit ishte Fadil Hoxha, koordinator në Drejtorinë e Inspektorateve të Përgjithshme.

Por i njëjti kur u pyet nga avokati Blerim Mazreku se a është njoftuar nga inspektorët për konkluzionet për rrënim të detyrueshëm për objektet hoteliere që akuzohet Bujar Nerjovaj, dëshmitari tha që nuk ishte njoftuar për këto konkluzione.

Dëshmitari Hoxha në fund shtoi se inspektorët e kryejnë punën e vet, e para se të shkohet në ekzekutim nuk duhet të merret edhe aprovimi nga Drejtori.

Në seancën e ardhshme me propozim të prokurorit Metush Biraj do të ftohet si dëshmitar ish kryetari i komunës Ramadan Muja.

Trupi gjykues të përbërë nga gjyqtarët Xheladin Osmani, Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani që të gjithë nga departamenti i Krimeve të Rënda, seancat e radhës i caktuan për datat 8 dhe 10 Maj.

Ish drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit fillimisht kishte  pranuar që të negociojë një marrëveshje për pranim të fajësisë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Por i njëjti i kishte rënë “pishman” dhe ka pranuar që të vazhdohet ne gjykim .

https://kallxo.com/zevendesministri-hyn-ne-negociata-me-prokurorine-per-marreveshje-per-pranimin-e-fajesise/

.