Gjykimi i Remzi Shalës: ‘Molla e Kuqe’ tregon a e ka njohur Haxhi Përteshin

Remzi Shala, i cili gjatë luftës mbajti nofkën “Molla e Kuqe ”, është duke u gjykuar për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Kanë kaluar 2 vjet që kur po zhvillohet ky proces gjyqësor, janë mbajtur rreth 36 seanca gjyqësore, janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët e propozuar në aktakuzë, por edhe dëshmitarë tjerë të propozuar gjatë gjykimit, edhe të dëmtuarit Agron Përteshi dhe Zenel Përteshi, djemtë e viktimës Haxhi Përteshi.

Në seancën e sotme i akuzuari Remzi Shala u paraqit para turpit gjykues për të dhënë mbrojtjen e tij.

Shala u përgjigj në saktësisht 10 pyetjet e mbrojtësit të tij avokatit Natal Bullakaj, pas kësaj i njëjti tha që tutje do të mbrohet në heshtje dhe nuk do t’i përgjigjet asnjë pyetje të prokurorit special Haki Gecaj por as pyetjeve eventuale të përfaqësuesit të të dëmtuarve, avokatit Asdren Hoxha.

Remzi Shala akuzohet se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në pyetjet e avokati Natal Bullakaj, Remzi Shala fillimisht tha se qëndron pranë deklarimeve të tij të mëparshme në Polici dhe Prokurori për ato se çka ka deklaruar lidhur me rastin.

Remzi Shala rrëfeu se në UÇK është kyçur me datë 1 maj të vitit 1998, dhe se fillimisht ka shërbyer në fshatin Dobërdëlan.

“Prej aty jam transferuar në fshatin Luzhnicë, nën komandën e Ismet Jasharit, prej ku kemi fillu të zgjerojmë ushtrinë, sepse numri i ushtarëve ka qenë i vogël, unë dhe komandant ‘Guri’ jemi caktuar në grykën e Carralevës”, vazhdoi rrëfimin e tij Shala.

Shala mohoi kategorikisht të ketë qenë ndonjëherë në fshatin Duhël.

“Nuk kam qenë kurrë në fshatin Duhël, sepse aty kanë qenë të stacionuar policia dhe ushtria e Serbisë”, tha ai.

Avokati Bullakaj i kërkoi Remzi Shalës që të sqaronte se a ka njohur ndonjë person nga Familja Përteshi, por ai e mohoi këtë.

“Kurrë s’i kam njohur, hiç”, u përgjigj Shala duke insistuar se nuk kishte njohur as takuar asnjë anëtar të të familjes Përteshi.

Remzi Shala tha se nuk e kishte njohur as Haxhi Përteshin, për të cilin akuzohet se e ka rrëmbyer.

“Kurrë se kam njohur Haxhi Përteshin, as para lufte e as gjatë lufte, se unë nuk jam marrë me popullatë civile”, përfundoi mbrojtjen e tij Remzi Shala.

Pas kësaj, avokati Natal Bullakaj tha se i mbrojturi i tij Remzi Shala “dëshiron të shfrytëzoj të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje”.

“Të gjithë atë çka ka pasur për ta thënë i ka thënë në deklaratat e tij të mëhershme në Polici dhe Prokurori, dhe nuk ka çka të shtojë”, deklaroi Bullakaj, të cilin e mbështeti edhe i akuzuari Remzi Shala.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017.

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” ish-ushtari i UÇK-së Remzi Shala kishte mohuar se ka lidhje me privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.

https://kallxo.com/remzi-shala-skam-lidhje-rastin-e-haxhi-perteshit/

Kallxo.com ka raportuar se në dhjetor të vitit 2018 Remzi Shala kishte pranuar ftesë nga Prokuroria e Specializuar për t’u intervistuar.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe avokati i Shalës, Natal Bullakaj.

”Molla e Kuqe”  ishte ftuar për intervistë për datën 17 janar por ai kishte dalë në arrati pasi kishte refuzuar t’u përgjigjej autoriteteve të Prokurorisë së Specializuar.

Muajin e kaluar ai qe arrestuar nga Policia e Kosovës.