Gjykimi Pjeter Ndrecaj - foto KALLXO - 24.10.2018

Gjykimi i Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës - VIDEO

Pjetër Ndrecaj i akuzuar për vrasje të rëndë të bashkëshortes dhe vajzës së tij ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Matjani, i akuzuari Ndrecaj nuk është deklaruar rreth fajësisë, apo pafajësisë së tij për veprat që i ngarkohen nga ana e prokurorit.

Mbrojtësja e Ndrecajt, avokatja Fehmije Zhubi në fjalën e saj deklaroi se ajo nuk ka komunikuar ende me të mbrojturin e tij dhe kërkoi që seanca  të shtyhet. Ajo kërkoi nga gjykaësi Gëzim Pozhegu që seanca të shtyhet.

“Unë si mbrojtëse sipas detyrës zyrtare nuk kam pasur mundësi që të komunikoj me të mbrojturin tim për këtë çështje. Mirëpo sot para këtij shqyrtimi kam biseduar me të mbrojturin tim që të kërkojmë që të shtyhet kjo seancë me qëllim të kërkimit të negocimit të kësaj çështje rreth pranimit të fajësisë. Mendoj se gjykata duhet të na mundësojë që konform dispozitave të kodit, të na ipet mundësia për kushtet rreth pranimit të fajësisë”, tha avokatja Zhubi.

Ndërsa i akuzuari Pjetër Ndrecaj tha se pajtohet me avokaten e tij. Prokurori Agron Matjani thotë se për këto negociata ju duhet kohë.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu ju dha kohë një javë për marrëveshjen rreth pranimit të fajësisë.

Ndërsa, mbrojtësi i familjes së dëmtuar, avokatit Isa Osdautaj e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes së të akuzuarit.

Pas kësaj gjyqtari Gëzim Pozhegu, duke u bazuar në kërkesën e mbrojtëses së të akuzuarit Pjetër Ndrecaj vendosi që seanca e sotme të shtyhet për një kohë të caktuar prej 7 ditësh, derisa të arrihet kjo marrëveshje. Seanca e radhës është caktuar për datë 31 tetor.

KALLXO ka raportuar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së dyfishtë e cila ndodhi me 7 gusht të këtij viti.

Pjetër Ndrecaj akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë, pasi dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tyre 9-vjeçare. LINK