Gjykimi i ish-drejtorit të shkollës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-drejtorit të shkollës për ryshfet i afrohet fundit

Gjykimi i Adem Musliut, ish-drejtorit të shkollës “Nexhmedin Nixha” të Gjakovës vazhdoi me leximin e ekspertizës grafologjike nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Në shqyrtimin gjyqësor, i dëmtuari Mentor Quni ka thënë se kur ka shkuar për ta marrë diplomën tek ish-drejtori, tani i akuzuari Adem Musliu i ka thënë se duhet paguar 400 euro.

Raporti i ekspertizës ka dalë me rezultat në favor të të dëmtuarit.

Ekspertiza u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit, duke thënë se nuk ka mundësi teknike që të bëhet krahasimi i një dorëshkrimi të bërë në Gjykatë me atë para 6 viteve.

Paraprakisht avokati i të akuzuarit Isa Osdautaj i propozoi Gjykatës që të bëhet edhe një ekspertizë nga AKF-ja, të cilin propozim gjykatësi e refuzoi si të pabazuar.

Lidhur me këtë rast, Musliu akuzohet për dy vepra penale – atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare si dhe të marrjes se ryshfetit.

Neshet Këpuska, drejtori aktual i shkollës “Nexhmedin Nixha” në seancën e kaluar deklaroi se këto keqpërdorime i kishte paraqitur në Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë, duke cekur se “po thuhet se janë marrë para për këtë diplomë, e unë e kam nënshkruar këtë diplomë”.

http://kallxo.com/drejtori-shkolles-njoftova-drejtorine-e-arsimit-per-keqperdorime/

Më pas kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani e pyeti të akuzuarin se a ka të shtojë diçka lidhur me provën e re të paraqitur nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, “e cila provë del se shkrimi i juaj përputhet me shkrimin i cili pretendohet se i keni dhënë udhëzime të dëmtuarit se si duhet të shkojë në Gjykatë?”

I akuzuari Adem deklaroi se nuk ka çka të thotë më tepër dhe se mbetet pranë propozimit të avokatit të tij.

http://kallxo.com/demtuari-ish-drejtori-kerkoi-400-euro-per-te-marre-diplomen/

Pasi që në seancën e mbajtur në prill të këtij viti është dhënë mbrojtja e të akuzuarit, prokurori kërkoi kohë shtesë lidhur me fjalën e tij përfundimtare, me arsyetimin se duhet t’i shqyrtojë të gjitha shkresat e lëndës sepse e kishte marrë rishtazi këtë rast.

Sipas aktakuzës, Adem Musliu pretendohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në kundërshtim me vendimin e MAShT-it, me arsyetimin se kinse i dëmtuari Mentor Quni e ka kryer vitin e katërt, ka tërhequr diplomën e tij dhe në emër të kësaj diplome të lëshuar ka marrë 400 euro ryshfet.

Fjala përfundimtare pritet të mbahet në seancën e radhës më 4 qershor.