Gjykimi i Merita Shehut - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-arkëtares së ‘Finca’-s, dëshmitarët rrëfejnë si e gjetën arkën thatë

Në gjykimin e Merita Shehut, ish-arkëtarja e degës së institucionit mikrofinanciar “Finca” në Rahovec, e akuzuar për përvetësim të mijëra eurove, ka dëshmuar ish-kolegu i saj, Blerim Sokoli, i cili kishte pozitën e analistit kreditor.

“Edhe mua Merita më ka marrë në qafë sepse më kanë larguar nga puna pas 11 viteve pa pasur nevojë”, deklaroi dëshmitari Blerim Sokoli në Gjykatën e Gjakovës.

Sokoli tregoi se e akuzuara Shehu s’e kishte çelësin e arkës, i cili çelës qëndronte në zyrën e shefit, Blerim Zornaxhiu.

“Çelësin e zyrës e ka mbajtur udhëheqësi Blerim Zornaxhiu, ndërsa Merita e kishte vetëm kodin e hyrjes së arkës”, tha dëshmitari.

“Unë nuk jam në dijeni nëse Merita e ka marrë çelësin ndonjëherë pa dijeninë e shefit Zurrnaxhiu”, tha ai.

Dëshmitari tha se në mungesë të shefit të tyre Blerim Zurrnaxhiu, ai bashkë me Meritën ka pasur raste kur kanë hapur dhe kanë mbyllur kasafortën.

“Mendoj se gabimi jonë është që s’i kemi numëruar paratë në arkë”, tha dëshmitari Blerim Sokoli.

E akuzuara Merita Shehu i tha dëshmitarit se ai e kishte çelësin e derës së blinduar, ndërsa dëshmitari Blerim Sokoli tha që kjo nuk është e vërtetë.

Ai tha se pa e dhënë Merita kodin e kasafortës, askush tjetër nuk mund të hynte sepse nuk e dinte kodin.

Më pas pranë Gjykatës së Gjakovës dëshmoi edhe dëshmitarja Ermira Musliu nga Prishtina që kishte bërë auditimin e “Finca”-s.

Foto: KALLXO.com

“Kur e akuzuara Merita ështe afruar për ta dhënë kodin e kasafortës ajo është rrëzuar në tokë”, deklaroi dëshmitarja.

Ajo tregoi se kasaforta është hapur në mungesë të Meritës, do të thotë përmes zëvëndësuesit të saj, i cili e ka ditur kodin.

“Çelësin e kasafortës e mban një person ndërsa kodin e kasafortës arkëtarja dhe se për hapjen e saj nevojiten dy persona”, tha dëshmitarja Ermira Musliu.

“Kur është hapur kasaforta kam qenë bashkë me Blerim Zurnaxhiun dhe arkëtarin zëvendësues Ymer Paçarizi dhe kemi vërtetuar se aty mungojnë paratë”, tha ajo.

Ajo tha se atë ditë kur kishte shkuar për kontroll, Merita kishte marramendje dhe e kishin dërguar në spital.

Pranë trupit gjykues të përbërë nga kryetari Shaqir Zika, bashkë me anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Myfera Hoxha, dha dëshminë edhe Ymer Paçarizi, arkatari zëvendësues.

Dëshmitari Ymer Paçarizi tregoi se atë ditë kishte dhënë kodin e kasafortës.

“Në prani të menaxherit Blerim Zurnaxhiu dhe koleges Ermira Musliu, kemi hapur kasafortën dhe kemi parë që mungojnë paratë”, tha Paçarizi.

“Sipas rregullave, nuk lejohet që arkëtarja të ketë qasje në kasafortë pa prezencën e menaxherit”, tha ai.

Ai gjithashtu tregoi se parimisht duhet të numërohen se sa para po tërhiqen nga kasaforta.

Më pas trupi gjykues lexoi shkresat e lëndës, në të cilat shkresa bënin pjesë edhe kamerat e degës së “Finca”-s në Rahovec.

Mirëpo trupi gjykues caktoi ditën e nesërme për shikimin e CD-ve (kamerave) të vendit të ngjarjes.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Në seancën e kaluar kishte dëshmuar edhe ish-udhëheqësi i “Finca”-s në degën në Rahovec, Blerim Zurnaxhiu dhe i njëjti kishte fajësuar ish-arkëtaren Merita Shehu për mungesën e 23 mijë eurove.

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Merita Shehut, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Gjyqtari Shaqir Zika aktakuzën e Prokurorisë e kishte vlerësuar të bazuar edhe përkundër faktit që mbrojtësi i të akuzuares Shehu, avokati Esat Gutaj kishte pretenduar që aktakuza nuk është e mbështetur në prova materiale.

Në seancën e mbajtur në muajin janar, e akuzuara Merita Shehu kishte kërkuar marrëveshje me Prokurorinë.

https://kallxo.com/ish-arketarja-e-finca-s-kerkon-marreveshje-me-prokurorine/

Ndërkaq në seancën e parë, Merita Shehu nuk e kishte pranuar fajësinë.

https://kallxo.com/punetorja-e-akuzuar-e-finca-s-nuk-e-pranon-se-i-pervetesoi-mbi-23-mije/

Ndërsa i autorizuari i “Finca”-s, Auberon Kelmendi, kishte thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se si institucion mikrofinanciar kërkojnë kompensim dëmi.

“E akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj institucionit mikrofinanciar “Finca”, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojnë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro”, kishte thënë Kelmendi.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin janar e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtare në degën e “Finca-s”, në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marrë shumën e të hollave prej 14.200 euro, e po ashtu ka përvetësuar këstet e 40 klientëve në shumë prej 977.50 euro.