Gjykimi i agjentëve tregtarë të akuzuar për përvetësimin e parave të kompanisë

Besart Ramosaj dhe Agron Gumnishta të cilët akuzohen për veprën penale përvetësim në detyrë sot kanë dalë para Gjykatës në Mitrovicë.

Në seancën e sotme i pandehuri Agron Gumnishta e ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet, por një gjë të tillë nuk e ka bërë i pandehuri tjetër Besart Ramosaj.

Gumnishta Ish-agjent tregtar në kompaninë “Unioni SHPK“ në Vushtrri, akuzohet se në bashkëkryerje me Besart Ramosajn, kanë përvetësuar paratë e kompanisë.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon të lartcekurit se kanë përvetësuar për vetën e tyre shumën e parave në vlerë prej 1.141.28 euro.

Pranimin e fajësisë nuk e ka mbështetur prokurori i rastit Ismet Ujkani, i cili ka theksuar se nga provat e paraqitura në akuzë vërtetohet se vepra është kryer në bashkëkryerje  nga dy të akuzuarit.

Gjykatësi i rastit Tomisllav Petroviq, pas deklarimeve të palëve nuk e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gumnishta, duke shtuar se në provat në të cilat mbështetet aktakuza,  ekziston lidhshmëria objektive dhe subjektive në mes të veprimeve të dy të akuzuarëve.

Ndërsa, i akuzuari tjetër Besart Ramosaj është deklaruar i pafajshëm për të njëjtën vepër penale.

Gjykatësi Petroviq, ka njoftuar të akuzuarit se në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtë të parashtrojnë kundërshtimin e provave apo kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Ai ka thënë se pas pranimit të kundërshtimeve nëse do të ketë, do të vendos jashtë seancës gjyqësore ndërsa seanca e shqyrtimit të dytë nuk do të mbahet.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon të lartcekurit se kanë përvetësuar për vetën e tyre shumën e parave në vlerë prej 1.141.28 euro.

Sipas akuzës Gumnishta dhe Ramosaj si persona zyrtarë, agjent tregtar pranë ‘Unioni SHPK’ në Vushtrri kanë marr para me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete.

Me këtë ata po akuzohen se i kanë shkaktuar dëm ‘Unioni SHPK’-së në Vushtrri me pronar të dëmtuarin Xhabir Kajtazi.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kur bizneset e ndryshme i kishin dërguar paratë në shuma të ndryshme, si borxh të tani e dëmtuara ‘Unioni SHPK’- Vushtrri, këto shuma të cilat gjithsejtë janë në vlerë prej 1.141.28 euro është dashur t`i dorëzojnë në arkën e të dëmtuarës, mirëpo një gjë të tillë nuk e kanë bërë, dhe paratë i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Kallxo.com ka raportuar prej fillimit të këtij procesi, kurse seanca e kaluar kishte dështuar për shkak se i pandehuri Besart Ramosaj nuk ishte prezent në gjykatë.

Raportin e plotë mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm.

https://kallxo.com/deshton-seanca-ndaj-te-akuzuareve-gumnishta-e-ramosaj-per-pervetesimin-e-mbi-1-mije-eurove/

 

.