Gjykatësit që e liruan Sali Mekajn

Gjykata Supreme në një nga vendimet e saj të fundit ka bërë të ditur se vendimi i Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit lidhur me lirimin e ish kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, ka qenë i kundërligjshëm.

Një gjë e tillë është konstatuar pas shqyrtimit të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit.

Kryetari i kolegjit të Gjykatës Supreme, Agim Maliqi së bashku me gjykatësit Nesrin Lushta e Rasim Rasimi kanë gjetur shkelje në vendimin e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, të cilat Sali Mekajn e Vlora Goranin i liruan nga akuzat të cilat u viheshin në barrë.

Sipas kolegjit të Gjykatës Supreme, kolegët e tyre gjykatës nga Gjykata Themelore, më saktësisht trupi gjykues në krye me Shashivar Hotin dhe dy anëtarët e tjerë Violeta Namani e Beqir Kalludra kanë vepruar gabimisht kur e kanë liruar nga akuza për ushtrim të ndikimit, Sali Mekajn.

Më shumë se pesë muaj pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës, edhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore e cila Sali Mekaj dhe të tjerët i kishte gjetur të pafajshëm.

Por me aktgjykimin e Gjykatës Supreme është konstatuar se edhe kolegji i gjykatësve të Gjykatës së Apelit në krye me  gjykatësen Mejreme Memaj dhe dy anëtaret Driton Muharremi e Fillim Skoro, me vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë kanë nxjerr përfundime të gabuara.

Në aktgjykimin e saj Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk ka përmbajtur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara në ankesë nga Prokuroria për shkak se sipas kësaj Gjykate nga shkresat e lëndës ndonëse del e pa kontestueshme se komunikimi në mes të akuzuarit Sali Mekaj dhe Vlora Goranit shpeshtohet dhe merr dimension  jo zyrtar, një komunikim i tillë konsiderohet i paligjshëm vetëm në aspektin etik dhe sipas Gjykatës së Apelit jo çdo takim ex-parte njëkohësisht është edhe vepër penale.

“Veprimet e tilla  nuk marrin dimension penal dhe ngelin vetëm  në kuadër të shkeljeve etike pasi nuk përmbushet asnjë element i veprës penale për të cilat i pandehuri ngarkohet me çka me të drejtë ka theksuar edhe gjykata e shkallës së parë.”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Sali Mekaj fillimisht ishte i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, por gjatë procesit gjyqësor Prokuroria, Mekajt ja kishte ri cilësuar veprën nga keqpërdorimi në ushtrim të ndikimit.

Lidhur me këtë fakt Gjykata ka konstatuar se prokurorja e rastit nuk ka mundur që në shqyrtim gjyqësor të bëjë këtë ri cilësim të veprës penale ngase për këtë vepër penale Prokuroria paraprakisht kishte hequr dorë me rastin e zhvillimit të hetimeve prandaj sipas po kësaj Gjykate lidhur me këtë vepër penale konsiderohet se hetimet kanë pushuar.

Ndonëse Sali Mekaj i cili akuzohej për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe Vlora Gorani e cila akuzohej për veprën penale të shtytjes në ushtrimin e ndikimit me vendimin e dy Gjykatave janë konsideruar si të pafajshëm, Gjykata Supreme ka mendim të kundërt.

Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj ka konstatuar se nga përgjimet e bisedave telefonike vërtetohet se të pandehurit Sali Mekaj dhe Vlora Gorani, së paku një herë kanë biseduar përmes telefonit në mënyrë që Sali Mekaj të takohej me gjyqtaren L. M., ekskluzivisht për ta biseduar çështjen e F.D., bashkëshortit të Vlora Goranit i cili ishte i akuzuar për veprat penale shtytja në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë dhe veprës penale vrasje në tentativë.

Në aktgjykim përshkruhet rrjedha e bisedave të përgjuara në mes të Sali Mekajt dhe gjykatëses L.M., e lidhur me këto përgjime, Gjykata Supreme ka konstatuar se ndonëse Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë vendimet e veta i kanë bazuar edhe në këtë provë, që do të thotë se përmbajtën e këtyre bisedave nuk e kanë kontestuar, kanë nxjerrë konkludim të gabuar lidhur me këtë provë.

“Megjithatë, kanë nxjerr konkludim të gabuar se e gjithë ajo që ka të bëjë me kontaktet në mes të pandehurve S.M. dhe V.G., tërësisht duhet të shikohet ndaras, të trajtohet vetëm si shkelje e Kodit të etikës, e jo të ndërlidhet me veprimet tjera inkriminuese që iu vihen në barë të pandehurve-ushtrimin e ndikimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Më tej Supremja përmend edhe arsyet e Gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë të cilat në aktgjykim japin arsyetimin se pasi që lëndët me paraburgim janë të natyrës urgjente, i pandehuri Sali Mekaj duke qenë në  cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Apelit, ka qenë i detyruar që të kërkojë nga gjyqtarët e të gjitha Gjykatave Themelore të Kosovës që sa më shpejt të procedojnë me këto lëndë.

Lidhur edhe me këtë fakt, Gjykata Supreme pas vlerësimit të kujdesshëm të rrethanave gjeti se kërkesa e Prokurorisë sa i përket kësaj pjesë është e bazuar, pasi që sipas kësaj Gjykate nuk ka dispozitë  e cila kryetarit të Gjykatës së Apelit i jep kompetenca për të gjitha Gjykatat tjera në Kosovë.

“Në Rregulloren mbi organizimin e brendshëm të gjykatave, e cila është marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës më datën 04.01.2013. bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për gjykatat, në nenin 4., ku përcaktohen përgjegjësitë e kryetarit të gjykatës, gjithnjë bëhet fjalë për përgjegjësitë e tij brenda gjykatës së vet dhe nuk ka dispozitë  e cila kryetarit të Gjykatës së Apelit i jep kompetenca për të gjitha gjykatat tjera në Kosovë”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Sipas Gjykatës Supreme është i pambështetur vlerësimi i dhënë në aktgjykimin e shkallës së dytë se i pandehuri Sali Mekaj si kryetar i Gjykatës së Apelit ka kompetenca jashtë gjykatës së vetë, në gjykatat në tërë territorin e Kosovës.

Çështja tjetër e cila drejtë është vërtetuar por nuk është vlerësuar në mënyrë ligjore, sipas Gjykatës Supreme është edhe fakti se takimet me gjyqtaren L.M. e cila ka qenë e ngarkuar me lëndë, kanë qenë të shpeshta dhe pa dyshim në ato është diskutuar edhe çështja e F.D.(bashkëshortit të Vlora Goranit).

E sipas Gjykatës Supreme, Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë në aktgjykimet e veta në mënyrë të drejtë dhe të plotë kanë vërtetuar faktet vendimtare të çështjes konkrete por me lirimin e të pandehurve kanë nxjerr përfundimeve të gabuara për ekzistimin e veprës penale, që paraqet shkelje të ligjit penal nga neni 385.pika 4.të KPPK-së, pasi që kanë aplikuar ligjin i cili nuk ka mundur të aplikohet, sepse me aplikimin e drejtë të ligjit penal, sipas Gjykatës Supreme Sali Mekaj duhej të shpallej fajtor për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, pasi që sipas Gjykatës Supreme veprimet e tij paraqesin ushtrim të ndikimit si dhe e pandehura Vlora Gorani do të duhej të shpallej fajtore për veprën penale të shtytjes të ushtrimit të ndikimit.

Kujtojmë se pothuajse i gjithë ky proces gjyqësor ka qenë i mbyllur për publikun dhe mediat.

Ky rast bënë pjesë në grupin e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.