Foto: Kallxo.com

Gjykatësi e përjashton ish shefin e tenderëve nga seanca për tenderin e KEK-ut

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, e ka përjashtuar nga seanca e sotme gjyqësore në rastin e një tenderi në KEK, Hysni Hoxhën, ish shefin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Gjykimi ka të bëjë me një tender në vlerë rreth 6 milionë euro për sigurimin e objekteve të KEK-ut.

Gjatë rrjedhës së seancës, Hoxha kishte kërkuar leje nga Kalludra që të dalë për pak minuta jashtë për kryerjen e nevojës fiziologjike, por ai nuk është kthyer brenda kohës së paraparë.

Kjo e ka detyruar Kalludrën që të marrë vendim për përjashtimin e tij nga seanca e sotme.

“Meqenëse i akuzuari Hysni Hoxha kishte kërkuar që për një moment të lirohet nga salla për nevoja fiziologjike, tani i njëjti pas disa minuta nuk është kthyer dhe për shkak të mosrespektit të autoritetit të Gjykatës, kryetari  i trupit  gjykues mori aktvendim që të përjashtohet i akuzuari Hysni Hoxha nga seanca e shqyrtimit deri në përfundim të seancës”, tha kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Përveç Hysni Hoxhës, në këtë rast të akuzuar janë edhe ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku; ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj; si dhe Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i prokurimit Driton Pruthi, ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj dhe ish-kreu i OSHP-së Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Çështja e këtij tenderi të KEK-ut kishte shkuar më herët deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila refuzoi kërkesën e të akuzuarve për t’i vënë masë të përkohshme procesit.

Për tenderin e KEK-ut Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar në vitin 2014, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, e aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.