Foto: Kallxo.com

Gjykatësi Beqir Kalludra i reagon Sami Lushtakut në seancë

Avokati Arianit Koci, i cili e mbron ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, në një gjykim që ka të bëjë me një tender 6 milionësh në KEK, e ka sulmuar sot aktakuzën e Prokurorisë në këtë rast duke e quajtur “të poshtër”.

“Thjesht kjo është një aktakuzë koti, në aspektin human është aktakuza më e poshtër në jetë që e kam parë. Shtatë vjet të jetës ja kanë marrë zotit Lushtaku pa kurrfarë prova”, ishin fjalët e mbrojtësit të Sami Lushtakut, avokatit Arianit Koci, lidhur me akuzën e cila i vihet në barrë klientit të tij.

Mendim krejtësisht të kundër pati prokurorja speciale Florije Shamolli, e cila në fjalën përfundimtare  kërkoi dënim për të akuzuarve në rastin e tenderit rreth 6 milionësh për sigurimin e KEK-ut.

Në këtë rast të akuzuar janë ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku; ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj; ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha; si dhe Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi dhe Azem Duraku.

Prokuroja Shamolli deklaroi se nga provat e prezantuara është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Ajo tha se në mars të vitit 2012, KEK-u kishte bërë një shpallje publike lidhur me një tender ku kishin konkurruar pesë kompani që pretendonin se i plotësonin kushtet dhe ndër to ishte edhe kompania “Security Code”, që sipas saj nuk i plotësonte kriteret.

Me pas tha se në mesin e kritereve ishte paraparë të ishte çmimi më i lirë dhe kompania të kishte staf të mjaftueshëm.

“Mirëpo meqenëse Milazim Lushtaku dhe Esat Tahiri ishin pronarë të “Security Code” dhe nuk kishin staf të mjaftueshëm ata me paraqitje të rremë morën punëtorë që nuk ishin të kompanisë dhe u vërtetua se ishin punëtorë që punonin në aeroport”, tha Shamolli.

Sipas prokurores Sami Lushtaku kishte ushtruar ndikim mbi Arben Gjukën që “Security Code” ta fitonte tenderin.

“Në rastin konkret ka ndërhy edhe Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) pasi u paraqitën shumë parregullsi dhe i shkruajnë Arben Gjukaj për shkak të parregullsive të shumta dhe ai erdhi deri tek anulimi i tenderit me çka e njoftoi edhe Driton Pruthin. Mirëpo pasi ishte Sami Lushtaku person me ndikim ai shkoi në zyrën e Arben Gjukajt së bashku më zëvendësin e tij gjoja për të biseduar për disa trafo elektrike e në fakt u bisedua për tenderin në fjalë”, tha ajo.

Sipas prokurores, kompania “Security Code” ka bërë ankesë në shkallë të dytë e më pas i akuzuari Arben Gjukaj është nisur në udhëtim zyrtar dhe lidhur me tenderin në fjalë e ka lënë këshilltarin e tij, Ramiz Shahinin të cilit me autorizim me shkrim ia ka mundësuar nënshkrimin e kontratës ku, sipas saj, e ka nënshkruar dhe kompania “Security Code” është bërë përfituese e tenderit.

Më pas, prokurorja Shamolli nga Gjykata ka kërkuar që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë si dhe t’i dënojë sipas ligjit duke kërkuar të marrë parasysh rrethanat rënduese si dhe ato lehtësuese.

Si rrethanë rënduese, prokurorja ka kërkuar të merret vlera e madhe e dëmit të shkaktuar KEK- ut dhe fakti se bëhej fjala për para publike ndërsa si rrethanë lehtësuese ka kërkuar të merret parasysh se të akuzuarit kanë qenë korrekt para Gjykatës.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtakut, avokati Arianit Koci tha se kjo aktakuzë është ‘politike’ dhe në aspektin profesional është ‘më e dobëta’ që e ka parë ndonjëherë dhe që e ka bërë ndonjë prokuror i EULEX-it.

Lidhur me të akuzuarin e tij, avokati Koci tha se në ketë shqyrtim gjyqësor dy prova janë paraqitur, një ndër to është deklarata e Rexhep Rexhepit i cili ka vdekur dhe nuk mund të merret parasysh dhe ajo e Arben Gjukajt, ku ka thënë se nuk ka pasur as presion e as formë të shtytjes, e që sipas tij prokuroria ka bërë presion për ta futur klientin e tij në procedurë.

Tutje avokati Koci shtoi se të gjithë të akuzuarit tjerë janë viktimë e Sami Lushtakut dhe po të mos ishte ai asnjëri nga të tjerët nuk do të ishte tani i akuzuar.

“Aktakuza merret edhe me karakterin e Lushtakut. Ai nuk është engjëll por ka karakterin e vet dhe nuk di njeri që i ka kërkuar ndihmë e ky si ka ndihmuar, ka karakter e dinjitet dhe është njeri skajshmërisht human”, tha Koci.

Avokati Koci nuk la pa përmendur edhe luftën e Kosovës ku deklaroi se Sami Lushtaku disa herë ka rrezikuar jetën e tij për luftën që e solli lirinë për qytetarët por e njëjta luftë po i sjell atij probleme.

“Kam pritë që prokurorja vendore ka me rregulluar këtë padrejtësi. Kjo sot as nuk e din çka ka folë. Pas shtatë vjet këtu, çka mi bo Sami Lushtakut me këtë stres që e ka pësuar ky dhe krejt familja e tij”, tha ai.

Ndërsa edhe vet i akuzuari Sami Lushtaku tha se nuk kërkon mëshirë por kërkon drejtësi.

Ai shtoi se absolutisht nuk i beson drejtësisë në Kosovë, dhe se ka pritur se prokurorja do të heqë dorë nga akuza.

“E tha edhe avokati jem që kjo akuzë ka qenë politike dhe e pabazuar në argumente e fakte. Publikisht ju kërkoj falje të gjithë këtyre sepse të gjithë të akuzuarit janë shkaku im këtu. Shtatë vjet e kanë shfrytëzu edhe mediat tona duke spekuluar me shifra, kaniherë duke ju bërë presion edhe juve”, tha Sami Lushtaku.

Por kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra ia kthehu Lushtakut që të mos flasë për trupin gjykues dhe se presion atij nuk i bën askush.

“Unë dua drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi, nëse dikun e kemi shkel ligjin na jem të gatshëm me pranu çdo dënim”, tha Lushtaku.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Arben Gjukaj, avokati Ramë Gashi, tha se kontrata e punës midis Arben Gjukajt dhe KEK-ut ka përcaktuar të drejtën e Arben Gjukajt për zotësinë e bartjes së autoritetit te bashkëpunëtorët për kryerjen e funksioneve që janë në autoritet të drejtorit menaxhues.

“Nuk ka tejkalim të autorizimit dhe as keqpërdorim të detyrës zyrtare me qëllim që tjerët të kenë dobi pasurore. Provat që ka dorëzu mbrojtja vërtetojnë tezën e pafajësisë së Arben Gjukës, prandaj kërkoj të lirohet nga akuza”, deklaroi avokati Ramë Gashi.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Hoxhës, avokati Sahit Bibaj, tha se gjatë kësaj procedure me asnjë prove nuk është vërtetuar pretendimi i prokurorisë i ngritur ndaj klienti të tij.

Sipas tij, prokurorja në fjalën përfundimtare nuk e ka cituar emrin e të mbrojturit të tij si dhe ndonjë veprim apo mosveprim të tij.

“Ajo citoi se kushtet për dhënie të kontratës ka qenë çmimi ekonomikisht më i ulët çka nuk është e saktë sepse kusht për dhënie të kësaj kontrate ka qenë operatori më i përgjegjshëm ekonomik”, tha avokati Bibaj.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Esat Tahirit, avokati Mentor Neziri, tha se për veprën penale “falsifikim i dokumentit” për të cilën akuzohet klienti i tij, është arritur parashkrimi dhe i ka propozuar gjykatës që të marrë aktgjykim refuzues.

Ai shtoi sa i përket veprës penale të mashtrimit e kanë kontestuar gjendjen faktike dhe kualifikimin e veprës penale, duke thënë se nuk janë plotësuar elementet për këtë vepër penale dhe me gjitha provat materiale e formale dhe gjendja faktike nuk është përshkruar në mënyrë të drejtë.

Ndërsa avokati Artan Qerkini, mbrojtës i Milazim Lushtakut, ka thënë se asnjë element i veprave penale për të cilat ngarkohet klienti i tij nuk është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ai tha se nuk mund të mashtrohet personi juridik por vetëm ai fizik e se prokurorja gjatë fjalës përfundimtare nuk ishte në gjendje të thoshte me cilin veprim i akuzuari Milazim Lushtaku ka kryer falsifikim.

“Sa i përket dëmit, nuk guxojmë të ngatërrojmë vlerën e kontratës me dëm, ajo pi bjen që kompania ka marrë 6 milion e sa euro dhe nuk ka dhënë asnjë shërbim. Vlera e dëmit nuk mund të jetë 6 milionë se janë paguar disa punëtorë e tatime dhe prokuroria asnjëherë nuk e ka nxjerr saktë sa është vlera e dëmit”, tha avokati Qerkini.

Mbrojtësi i të akuzuarit Driton Pruthit, avokati Berat Tmava, tha se në dosje të lëndës nuk ka prova që klienti i tij ka tejkaluar autorizimet ligjore dhe se veprimet e tij janë në përputhshmëri me ligjin.

“Prokuroria Speciale është dashur të përcaktojë dëmin apo pjesën e përfituar dhe nuk mund të thuhet se si dëmtim është shuma e kontratës pasi ajo ka të bëj me shumën për shërbimet e kompanisë “Security Code” dhe “ËDG”, tha Tmava.

Por edhe avokati Armend Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Azem Duraku në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se mbrojtja është e bindur se për asnjë moment nuk është vërtetuar baza e akuzës.

“Prokuroria veprën penale e kualifikon si veprës penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, këtë gjë me asnjë fakt apo provë nuk e ka vërtetuar se ka ekzistuar dyshimi mirë i bazuar se i mbrojturi im ka kryer këtë vepër penale” tha Krasniqi.

Pasi që ka përfunduar fjalën e saj përfundimtare prokuroja Florije Shamolli  ka kërkuar të lirohet nga seanca, për shkaqe familjare, me ç ‘rast kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra e ka liruar atë dhe ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të dërgohet një prokuror tjetër.

Më pas ky gjykim ka vazhduar pas një ore, dhe prokurori që ka zëvendësuar Shamollin ka qenë Atdhe Dema.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 20 maj.

https://kallxo.com/gjykimi-per-tenderin-milionesh-sami-lushtaku-tregon-sa-here-kishte-qene-ne-zyren-e-drejtorit-te-kek-ut-arben-gjuka/

https://kallxo.com/gjykatesi-e-perjashton-ish-shefin-e-tendereve-nga-seanca-per-tenderin-e-kek-ut/