Arkiv - Të dyshuarit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanviqit sillen ne Gjykatë - FOTO KALLXO - 24.11.2018

Gjykata vërteton paraburgimin për të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për pjesëmarrje në vrasjen e ish politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Nedelkjo Spasojeviq, Marko Rosiq dhe Dragisha Markoviq me vendimin e gjykatës do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, nëse Gjykata e Apelit nuk vendos ndryshe pas ankesave eventuale të mbrojtësve.

Gjykata ka vlerësuar se në bazë të provave të siguruara nga Prokuroria Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë marrë pjesë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Edhe në nëntor të këtij viti ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, mirëpo Gjykata e Apelit duke vepruar sipas ankesave të mbrojtësve e kishte kthyer vendimin për rivendosje.

Muajin e kaluar Policia e Kosovës në një aksion në veri të Mitrovicës kishte arrestuar tre persona nën dyshimet se janë të përfshirë në vrasjen e ish politikanit serb në Kosovë, vrasje e cila kishte ndodhur në janar të këtij viti.

Për vrasjen e Oliver Ivanoviqit sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë është i dyshuar edhe nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojiçiq, i cili është në kërkim.

Oliver Ivanoviq ishte vrarë në janar të këtij viti në Mitrovicën e Veriut.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivaniviqit. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.