Polici i akuzuar, Nuredin Begolli. Foto: Kallxo.com (Arkiv)

Polici i Akuzuar për Keqpërdorim të Informatës Shpallet i Pafajshëm

Rreshteri policor i akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare, të hënën u shpall i pafajshëm.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, tha sot në seancën e shpalljes së aktgjykimit se nuk ekzistojnë prova dhe elemente të veprës penale për të cilat Begolli akuzohej nga Prokuroria.

Rreshteri Nuredin Begolli akuzohej nga Prokuroria e Shtetit se në tetor të vitit 2015 duke punuar në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren ku kishte qasje në informacione, keqpërdori informatën zyrtare që personi tjetër të përfitojë.

Sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të kërkesës së qytetares A.K. gjatë bisedave telefonike nëpërmjet rrjetit viber e njofton atë për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes të kryera nga Deli Hoxha.

Këto informacione që konsiderohen zyrtare më pas kanë ndikuar në prishjen e raporteve në mes të të dëmtuarit dhe qytetares A.K.

Nuredin Begolli kishte mohuar akuzat.

Në seancën e fundit, javën e kaluar, i dëmtuari Deli Hoxha, kishte thënë se nxjerrja e informatave nga Policia kishte ndikuar në prishjen e lidhjes së dashurisë së tij me tashmë ish të dashurën me të cilën tha se planifikonte të fejohej e martohej.

http://kallxo.com/demtuari-informata-e-nxjerre-nga-polici-la-pa-u-fejuar/

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces gjyqësor.