Foto: Kallxo.com

Gjykata vendosi për ish- zyrtarët e Agjencisë së Akreditimit

Dy ish-zyrtarë të lartë të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Ferdije Zhushi Etemi dhe Basri Muja, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë në mungesë provash në akuzën për keqpërdorim të detyrvs zyrtare në bashkëkryerje ndërsa i akuzuari tjetër, Armend Muja, është liruar meqë vepra penale për të cilën akuzohej është vjetërsuar.

Ndërsa për pikat e aktakuzës në të cilën tre të akuzuarit prokuroria i ngarkonte me veprat penale të shpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe për marrje të ryshfetit në bashkëkryerje, Gjykata ka marrë aktgjykim refuzues pasi që ka ardhur deri te parashkrimi absolut.

Ky është vendimi të cilin e mori trupi gjykues sot në mëngjes në seancën në të cilën nuk ishin të pranishëm dy të akuzuarit e parë.

Ky proces gjyqësor është gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu Selimaj si dhe dy anëtaret e tjerë të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli e Isuf Makolli.

Më parë aktakuzën e Prokurorisë e ka përfaqësuar prokurori special Abdurrahim Islami ndërsa pasi që ai ndërkohë është pensionuar, lënda i është bartur prokurorit tjetër Naim Abazit.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Foto: Kallxo.com

Ndërsa Armend Muja akuzohej për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP, u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.