Gjykata Supreme Vërteton Pafajësinë e Fatmir Limajt

Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e ushtruar nga prokurori i EULEX-it është refuzuar ndërsa aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është vërtetuar.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati i Limajt, Tahir Rrecaj.

“Jemi njoftuar nga zyrtarët e EULEX-it se është refuzuar nga Gjykata Supreme e Kosovës. Ne si ekip i mbrojtjes së Limajt e kemi pritur këtë vendim pasi kemi dhënë përgjigjen tonë në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe tani Limaj përfundimisht është i pafajshëm”, tha Rrecaj.

Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 26 janar 2016 refuzoi si të pabazuar ankesën e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 17 shtator 2013.

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorisë Speciale të datës 25 korrik 2011, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-bashkëluftëtarët e tij akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.

Më 29 nëntor 2013, prokurori i Prokurorisë Speciale kishte parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 17 shtator 2013, përmes të cilit të dhjetë të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm.

Përveç Limajt, pjesë e aktakuzës ishin edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i rastit “Kleçka”.

Ky nuk është procesi i vetëm gjyqësor për krime lufte i zhvilluar kundër Fatmir Limajt.

Ndaj ish-komandant “Çelikut” Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte më 28 tetor të vitit 2016.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-fatmir-limajt/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky  rast.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-si-u-vra-ramiz-hoxha-nga-bellanica/

Ndërsa, Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

I arrestuar më 18 shkurt 2003, Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm rreth akuzave për krime lufte në të ashtuquajturin kamp-burg i Llapushnikut në nëntor të vitit 2005. Gjykata e Apelit në Hagë e kishte shpallur po ashtu të pafajshëm në shtator 2007.

Aktualisht, Fatmir Limaj është duke u gjykuar për akuzat shpërdorim detyre dhe krim të organizuar në kohën sa drejtonte ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.