Ismet Tara

Gjykata Speciale:Porosia e Smajl Latifit për komandantin që udhëtoi sot në Hagë

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar për ish-komandantin e UÇK-së, Ismet Tara, i cili sot është nisur për në Hagë, pasi është ftuar nga Gjykata Speciale.

Latifi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se lufta e UÇK-së ishte luftë e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme që populli i Kosovës t’i mbijetojë pushtuesit serb, i cili masakronte shqiptarët veç pse ishin shqiptarë.

“Vazhdoj të besoj se Gjykata Speciale, s8i e tillë, që trajton vetëm një anë të luftës, dhe për më tepër anën e viktimës, është e padrejtë, e po ashtu jam i bindur në pafajësinë e udhëheqëseve të kësaj lufte çlirimtare”, ka shkruar Latifi.

Tutje, ai ka shkruar se beson plotësisht se Tara do të dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Sot, bashkëluftëtari ynë i respektuar Ismet Tara, i njohur për përkushtimin në angazhimet e tij, niset për në Hagë. Kam besim të plotë se Ismet Tara, ashtu si bashkëluftëtarët e tjerë, do të vërtetojë e dëshmojë për pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së UÇK-së”, ka shkruar Latifi në postimin e tij në Facebook.

 

Ismet Tara, ish-komandanti i UÇK-së ka udhëtuar sot për në Hagë, ku është thirrur të merret në pyetje nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Para se të nisej për në Hagë, Tara ka mbajtur fjalim para shumë qytetarëve dhe bashkë-luftëtareve të tij, pranë shtatores së heronjve “Toni e Mici”, në Parkun e Qytetit të Rahovecit, duke thënë se gjithmonë do ta mbrojë luftën UÇK-së, kurdo që do të ketë nevojë.

“Të nderuar bashkëqytetar dhe vëllezër, ju falënderoj që keni ardhur të mbroni gjakun e heronjve dhe dëshmoreve të kombit, keni ardhur të mbroni luftën çlirimtare të Kosovës. Kurr më krenar se sot nuk ndihem dhe nuk do të ndihem sepse do të shkoj të mbrojë luftën dhe nderin e UÇK-së, në Hagë dhe kudo që të duhet”, është shprehur Tara.

Tara do të merret në pyetje me datat 5, 6 dhe 7 mars nga Gjykata Speciale.

Para katër ditëve, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ismet Tara në një prononcim për BIRN, ka thënë se do të merret në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë si një person që është “akuzuar” për krime lufte.

Ismet Tara ka thënë për BIRN, se ai ishte ftuar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e të dyshuarve për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës, 1998-2000.

“Jam ftuar si një person i akuzuar për vepra penale, por ata nuk përmendën cilat raste,” ka thënë Tara për BIRN, raporton KALLXO.com.

Ai ka shtuar se do t’u thoshte prokurorëve se UÇK-ja kreu një luftë mbrojtëse.

“A shkuam ne në Serbi të vrisnim ndonjë? Unë jam i gatshëm të përballem me ta, jo të bashkëpunoj, se ne nuk shkuam të kryenim krime në Serbi, por ata erdhën dhe e bënë këtë gjë në Kosovë. Mbi 1,300 njerëz nga komuna ime janë vrarë, djegur dhe janë zhdukur që nga ajo kohë,” ka thënë Tara.

Tara shërbeu si komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, me qendër në Rahovec në Kosovën perëndimore.

Ftesa e Tarës vjen disa ditë pasi një tjetër ish-komandant i UÇK-së, Blerim Kuçi, i cili aktualisht është deputet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e kryeministrit Ramush Haradinaj, u thirr nga prokurorët e Hagës.

Kuçi do të merret në pyetje më 12 mars. Edhe disa ish-zyrtarë të lartë të UÇK-së janë marrë në pyetje ose janë thirrur për t’u marrë në pyetje gjatë dy muajve të fundit.

Dhomat e specializuara të Kosovës me bazë në Hagë pritet të gjykojnë ish-luftëtarë të UÇK-së për krime përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale. Megjithatë, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe me personel ndërkombëtar.