Gjykata shpall fajtor 'Mollën e Kuqe' për krime lufte

Gjykata në Prizren e ka shpallur fajtor ish eprorin e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (UÇK), Remzi Shala në akuzën për krime lufte.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Raima Elezi, Luan Berisha e Fatmir Krasniqi e dënoi Remzi Shalën, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe”, me 14 vjet burg.

Ndaj tij do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës.

Pas shpalljes së aktgjykimit, familjarët e Shalës, të përlotur, e kanë përqafuar atë para se të largohej nën përcjellje të policisë.

Remzi Shala është gjykuar në Prizren për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Në fjalën përfundimtare Remzi Shala ishte i shkurtër në deklarimin e tij, duke thënë se i njëjti asnjëherë nuk është marrë me popullatë civile “ Jam krenar që kam qenë ushtar i UÇK-së, dhe gjatë luftës nuk jam marrë me popullatë civile as shqiptare e as serbe ‘’ me këto fjalë e përfundoi i akuzuari Shala deklarimin e tij të fundit në këtë gjykim.

Mbrojtësi i tij avokati Natal Bullakaj i kërkoi trupit gjykues që i akuzuari Remzi Shala të lirohet nga akuzat për shkaka të mungesës së provave, sipas Bullakajt aktakuza e Prokurorisë Speciale është e bazuar vetëm në një deklaratë dhe atë deklaratën e të dëmtuarit Agron Përteshi që njëherë është edhe djali i të ndjerit Haxhi Përteshi.

Prokurori nga radhët e prokurorisë speciale Haki Gecaj tha që gjatë gjykimit është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë, dhe se i akuzuari Remzi Shala duhet të dënohet sipas ligjit për veprat penale krime lufte ndaj popullatës civile.

Avokati Asdren Hoxha që përfaqëson familjen Përteshi gjithashtu ishte i mendimit sikurse prokurori, duke theksuar se i akuzuari Shala duhet të dënohet ngase nga të gjitha deklaratat e dëshmitarëve është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë se Remzi Shala ka qenë pjesë e grupit që e kanë rrëmbyer të ndjerin Haxhi Përteshi.

Pos tyre edhe djemtë e Haxhi Përteshit, Agron Përteshi dhe Zenel Përteshi thanë që përkrahin prokurorin Gecaj dhe avokatin Asdren Hoxha.

Zenel Përteshi  tha se ai dhe vëllezërit e tij nuk do të ndalen me kaq, “ Ne bijtë e Haxhi Përteshit nuk do të ndalemi, dhe do të kërkojmë nga drejtësia dhe do të ofrojmë drejtësisë  dhe fakte për rrethana tjera të cekura ndaj personave që kanë qenë dëshmitarë në këtë  proces gjyqësor “ tha Zenel Përteshi.

I njëjti iu referuar dëshmitarëve Xhafer Shukolli, Ferat Shala, Fadil Qatani dhe Fehmi Graishta, pasi që sipas Zenel Përteshit, për të cilët Zenel Përteshi kërkoi që drejtësia të merr masa edhe ndaj tyre.

Zenel Përteshi shtoi se  ka bindjen  se dëshmitarët e lartcekur janë të përfshirë  në rastin e marrjes së prindit të tij Haxhi Përteshi, duke u u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve të lartcekur.

Me këto deklarime të palëve gjykimi morri fund, dhe kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi e shpalli të përfunduar këtët gjykim, deri në ditën kur trupi gjykues të shpall vendimin ndaj trupi gjykues.

Më 21 qershor, Shala ishte përgjigjur vetëm disa pyetje të mbrojtësit të tij avokatit Natal Bullakaj, dhe pas kësaj kishte deklaruar se më tutje do të mbrohet në heshtje dhe nuk do t’i përgjigjet asnjë pyetje të prokurorit special Haki Gecaj por as pyetjeve eventuale të përfaqësuesit të të dëmtuarve, avokatit Asdren Hoxha.

Shala ka mohuar kategorikisht të ketë qenë ndonjëherë në fshatin Duhël.

“Nuk kam qenë kurrë në fshatin Duhël, sepse aty kanë qenë të stacionuar policia dhe ushtria e Serbisë”, tha ai.

Remzi Shala ka deklaruar se nuk e kishte njohur as Haxhi Përteshin, për të cilin akuzohet se e ka rrëmbyer.

“Kurrë se kam njohur Haxhi Përteshin, as para lufte e as gjatë lufte, se unë nuk jam marrë me popullatë civile”, përfundoi mbrojtjen e tij Remzi Shala.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017.

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” ish-ushtari i UÇK-së Remzi Shala kishte mohuar se ka lidhje me privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.

KALLXO.com ka raportuar se në dhjetor të vitit 2018 Remzi Shala kishte pranuar ftesë nga Prokuroria e Specializuar për t’u intervistuar.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe avokati i Shalës, Natal Bullakaj.

”Molla e Kuqe” ishte ftuar për intervistë për datën 17 janar por ai kishte dalë në arrati pasi kishte refuzuar t’u përgjigjej autoriteteve të Prokurorisë së Specializuar.

Me 24 Maj, Remzi Shala i kërkuar me urdhër – arrest ndërkombëtar u arrestua në shtëpinë e tij.

Menjëherë pas arrestimi Shala u soll para  Gjykatës ku ndaj tij u caktua paraburgimi, përderisa gjyqtarja Raima Elezi njoftoi se nga Policia është lajmëruar për praninë e Shalës në shtëpinë e tij.

“Sot në ora 08:00 jam njoftuar nga Policia se është zbatuar urdhëresë ndaj djalit të akuzuarit për një vepër tjetër penale. Dhe gjatë zbatimit të urdhëresës Policia ka gjetur se edhe Remzi Shala gjendej në shtëpinë e tij”, ka deklaruar gjykatësja Elezi.

Gjatë kësaj seanca kishte deklaruar se nuk është arratisur nga gjykimi për të cilin akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me rastin e Haxhi Përteshit, por është arratisur për t`i ikur ftesës nga Gjykata Speciale për të cilën deklaroi sërish se nuk do t`i përgjigjet.

“Ju e dini që kurrë s`kam ik prej gjykatave tona ”, ishte deklaruar Shala.

I njëjti kishte thënë se dy ditë para arrestimit kishte ardhur në shtëpinë e tij, dhe se gjatë kësaj kohe kishte qëndruar në Shqipëri.