ARKIV: Marrëveshja PTK- Z Mobile | Foto: KALLXO.com

Gjykata rrëzoi aktakuzën ndaj ish-krerëve të Telekomit të Kosovës për Z-Mobile

Hedhet poshtë aktakuza ndaj ish- krerëve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafës, Ejup Qerimi si dhe Rexhë Gjonbalaj. Lajmin për Kallxo.com e ka bërë të ditur avokati Artan Cerkini.

Sipas avokatit Gjykata Themelore i ka marrë për bazë kërkesat e mbrojtësve për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës në atë mënyrë që ka hedhur poshtë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

Me rastin e marrjes së këtij vendimi Gjykata ka udhëzuar kompaninë e dëmtuar “Dardafon.net”, në kontest civil.

Me 27 shtator të këtij viti të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurori Special Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

https://kallxo.com/agron-mustafa-rexhe-gjonbalaj-e-ejup-qerimi-deklarohen-ne-gjykate/

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte  lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

KALLXO.com mëson se aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com, në dhjetor të vitit të kaluar ka raportuar për fillimin e hetimeve për këtë rast. Në atë kohë, prokurori Abdurrahim Islami kishte konfirmuar për KALLXO.com se kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këtë rast.  https://kallxo.com/prokuroria-speciale-nise-hetime-ndaj-agron-mustafes-dhe-zyrtareve-te-telekomit/

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) arritën marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi u paraqit si një triumf për kompaninë pasi e lironte telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z Mobile.

Në vitin 2016 gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.

Prapaskenat Juridike të Marrëveshjes ‘Z-Mobile’ – Telekomi i Kosovës

.