Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata merr vendim për të kthyerat nga Siria

Gjykata e Prishtinës ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurave V.B., F.D., F.L., N.H., A.Z., V.K., H.K., L.L., S.S. dhe M.A. për shkak të veprës penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Të pandehurave V.B., F.D., F.L., N.H., A.Z., V.K., H.K., L.L., S.S. dhe M.A.  iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj për secilën veç e veç, duke filluar nga data 23.04.2019 deri më 23.05.2019.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Prokuroria Speciale ka kërkuar sot nga Gjykata caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të dyshuarat, ndërsa pala mbrojtëse ka kërkuar masën e paraqitjes në stacionin policor.

https://kallxo.com/te-kthyerat-nga-siria-prokuroria-kerkon-arrest-shtepiak/

Disa prej grave të kthyera të premten në mbrëmje nga Siria po dyshohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

10 gra të kthyera në fund të javës së kaluar nga Siria, janë dërguar në Gjykatën e Prishtinës për t’u marrë në pyetje rreth aktivitetit të tyre gjatë qëndrimit në zonën e konfliktit.

Ato kanë hyrë në ndërtesën e gjykatës nën përcjelljen e Policisë.

Ndërsa grupi i dytë i grave të kthyera pritet të dalë para gjykatës gjatë ditës së nesërme.

Pas kthimit të tyre nga Siria, Prokuroria ka thënë se do t’i marrë në pyetje 32 gratë e kthyera nga Siria.

KALLXO.com ka xhiruar momentin kur një pjesë e këtyre grave kanë zbritur nga automjeti i Policisë për të hyrë në ndërtesën e gjykatës.

https://kallxo.com/11-gra-te-kthyera-nga-siria-dalin-para-gjykates/

www.kallxo.com