Shaip Surdulli në Debat Pernime - Foto: KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese hedh poshtë ankesën e Shaip Surdullit ndaj Qëndron Kastratit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit të LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, për vlerësimin e kushtetutshmërisë ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikimin e Qëndron Kastratit si kryetar komune.

“Gjykata deklaroi kërkesën e parashtruesit të papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese”, thuhet në aktvendimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese.

Surdulli ishte ankuar në Kushtetuese me pretendimin se Kastrati nuk ka pasur të drejtë të certifikohej si kandidat për kryetar të komunës meqë nuk ka qenë banor i aasaj komune në tri vitet e fundit.

Kreu i LDK-së në Kamenicë, Shaip Surdulli, ka pretenduar se vendimi i kontestuar i PZAP-së, i ka shkelur atij të drejtën e garantuar të lirisë individuale me Kushtetutë.

Sipas tij, Komisioni Qendror Zgjedhor e ka certifikuar kryetarin e tanishëm të Kamenicës Qëndron Kastrati, në kundërshtim me nenin 9 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.

“Për më tepër, parashtruesi në kërkesën e tij nuk qartësoi saktësisht se cila e drejtë e garantuar me Kushtetutë i është shkelur”, thuhej në aktvendim.

Në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet: “Gjykata konstatoi se PZAP kishte hedhur poshtë ankesën e parashtruesit për arsye procedurale dhe nuk i ka shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të saktësuara në ankesën e tij pranë PZAP-it, pasi që PZAP-i kishte hedhur poshtë ankesën si të paafatshme”.

Ndër të tjera në aktvendim thuhet se parashtruesi nuk e ka saktësuar se cilat të drejta dhe liri themelore të tij janë shkelur dhe nuk ka mbështetur pretendimet e tij se si procedura para PZAP-it ka qenë e padrejtë apo arbitrare.

Shaip Surdulli në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ka qenë kandidat për kryetar të Komunës se Kamenicës dhe në balotazhin e 19 nëntorit 2017 është mundur nga kundërkandidati i tij nga Vetëvendosje, Qëndron Kastrati.

Kastrati së fundmi është larguar nga Vetëvendosje duke kaluar në Partinë Social Demokrate.