Gjykata kthen mbrapsht aktakuzën për veteranët

Gjyqtarja e ngarkuar me gjykimin e lëndës për fryrjen e listave të veteranëve ka vendosur që të kthejë aktakuzën në precizim tek Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në një njoftim për media nga Gjykata Themelore e Prishtinës, bëhet e ditur se aktakuza e pranuar në Gjykatë më 14 shtator të këtij viti është kthyer mbrapa.

“Është vendosur që aktakuza t’i kthehet në precizim dhe qartësim Prokurorisë Speciale të Kosovës pasi që nuk është përpiluar conform nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Si arsye për këtë në njoftimin e Gjykatës përmendet se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimi faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk e lejon mundësimin e një procesi të rregullt dhe pa zvarritje.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë dhe është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.